Telefonata e Trump me Vuçiç, Shehu: Shqipëria ka humbur rolin prioritar në Rajon si pasojë e Ramës

Telefonata e Presidentit të zgjedhur të SHBA, Donald Trump me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç, për deputetin demokrat Tritan Shehu tregon se Shqipëria e ka humbur rolin prioritar në Rajon, dhe kjo si pasojë e kryeministrit Edi Rama.
REAGIMI I TRITAN SHEHUT
"Trump-Vuçiç, Shqipëria ka humbur rolin prioritar në Rajon.
Pasojë e dështimeve, edhe e “nënshtrimit” të Ramës ndaj Vuçiç.
Biseda e parë me “Rajonin” e Trump bëhet nëpërmjet Vuçiç!
Një tregues ky për dështimin e politikave të jashtme e Rajonale të Ramës.
Humbjes së rolit lider të Shqipërisë për stabilitetin e integrimin e Rajonit.
Deri me vitin 2013 Tirana ishte Qendra politike e Rajonit.
Prej Tiranës Bush shpallte pavarësinë e Kosovës, hyrjen në NATO të Rajonit etj.
Më tej Rama e ktheu Shqipërinë në një “tellall” të politikave serbe.
Në një promovues të ëndrrave të tyre për Serbinë e Madhe me shkëmbimin e territoreve.
Për “Jugosllavinë e Re” me projektin famëkeq të “Ballkanit të hapur” etj.
Në marrëdhëniet ndërkombëtare ka një rregull absolut:
Nqs nuk di të argumentosh e të mbrosh interesat e tua, apo akoma me keq nuk dëshiron ta bësh këtë edhe me partnerët më të mirë, behësh se paku “zero”.
Sado të veshësh “atlete të bardha”, të shkelësh protokollet, nuk fiton asgjë, përkundrazi, humb.
Politika e jashtme nuk bëhet me “show” e teatralitete, bëhet me qëndrime, ide, mbrojtje të interesave, është shumë serioze edhe në formë.
Askush nuk të vlerëson a të jep më shumë nga sa ti je dhe paraqitesh.
Shkakun e dështimeve, qoftë dhe në procesin e integrimit, qofte dhe me këtë telefonatë, e kemi në Tiranë, te politikat nënshtruese e aventureske të këtij rregjimi.
Tek “fytyra” e këtij regjimi drejt sulltanateve të Lindjes, tek metodat lindore të tij.
Te fakti se ky regjim nuk është “i lire”, ai është i kondicionuar prej atyre “lugë supe të prishur” lindore, qe ka ngrenë e vazhdon….
Nuk ka pse ta kërkojmë problemin diku tjetër! Prandaj e ardhmja me këtë regjim është e pa shpresë.



