Takimi në Firenze/ Topalli-Diasporës: Regjistrohuni deri në 11 mars! Votoni për të ardhmen e Shqipërisë

Koordinatorja e PD për diasporën, Jozefina Topalli ka zhvilluar një takim të suksesshëm me shqiptarët e Italisë në Firenze. Në postimin e saj në Facebook, Topalli i ka bërë thirrje shqiptarëve të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, pasi Shqipëria ka nevojë për diasporën.
‘Shqipëria ka nevojë për zërin tuaj, për fuqinë tuaj dhe për vendosmërinë tuaj! Zgjedhjet parlamentare të 11 majit janë një mundësi e artë për të bërë një ndryshim të thellë dhe për të ndaluar zbrazjen e vendit tonë’, shkruan Topalli në Facebook.
Topalli i ka kërkuar votën shqiptarëve të Italisë, ku sipas saj, me votën e tyre ata mund të vendosin bazat e një Shqipërie të drejtë dhe të begatë.
“Ju që keni zgjedhur të ndërtoni një jetë në një vend të ri, jeni shembulli i asaj që një komb i vogël mund të bëjë nëpër botë. Por a e keni menduar se diaspora nuk është më thjesht një ‘shtyllë mbështetëse’ për Shqipërinë? Ju nuk jeni vetëm ambasadorët tanë. Ju jeni edhe novatorët tanë, lidhja jonë me mundësitë globale, dhe ndoshta… udhërrëfyesit për ndryshimin që ne kërkojmë brenda Shqipërisë.”
“Shqipëria ka kaluar sfida të mëdha. Ju që jeni larg, i shihni shpesh këto sfida me dhimbje dhe me shqetësim. Por si mundemi ta shohim Shqipërinë e nesërme? E shohim si një vend që thërret bijtë e saj të kontribuojnë jo vetëm financiarisht, por edhe me ide, me eksperiencën që keni fituar jashtë? A mundemi të punojmë së bashku për një Shqipëri më të drejtë, më të ndershme dhe më të përparuar?” Shqipëria ka nevojë për zërin tuaj, për fuqinë tuaj dhe për vendosmërinë tuaj! Zgjedhjet parlamentare të 11 majit janë një mundësi e artë për të bërë një ndryshim të thellë dhe për të ndaluar zbrazjen e vendit tonë.
Nga 11 janari deri më 11 mars, hapet regjistrimi për votimin nga jashtë. Ky është momenti juaj për të ndikuar drejtpërdrejt në të ardhmen e Shqipërisë – një të ardhme ku të rinjtë nuk do të detyrohen të largohen, ku familjet shqiptare mund të ndërtojnë të ardhmen e tyre në tokën e tyre.
Regjistrohuni. Përdorni këtë të drejtë që bën zërin tuaj të dëgjohet. Votoni. Vendosni për të ardhmen e Shqipërisë, për të ndalur korrupsionin, për të ndërtuar një shtet që i shërben qytetarëve të tij dhe jo të kundërtën. Ndryshoni. Me votën tuaj, mund të vendosni bazat e një Shqipërie të drejtë dhe të begatë
Ky është një moment historik që nuk duhet humbur. Shqipëria është e jona, dhe ne mund ta shpëtojmë dhe ta zhvillojmë së bashku. Tregojmë së bashku se diaspora nuk është larg, por një pjesë jetike e zgjidhjes për të ardhmen e vendit tonë.

