Tabaku: Rama të tërhiqet nga pasaportat e arta, Porti i Durrësit dhe amnistia fiskale
Teksa prezantoi në Kuvend, ligjin e ri për rolin e Parlamentin në procesin e integrimit, Tabaku tha se ndryshe nga opozita e mëparshme, fakt është që opozita e sotme është në mbështetje të këtij procesi.
Madje ajo nënvizoi se janë shpenzuar gjithë energjitë dhe përpjekjet për ta çuar këtë proces përpara si në kohën kur ishim në qeveri dhe mazhorancë por edhe këto ditë të opozitës.
Tabaku: Angazhimi i sotëm është jo vetëm dëshmi e asaj çfarë kemi vepruar dje por edhe premtim për atë që do të veprojmë nesër në qeverisje, që për fatin e keq, këtë energji dhe përkushtim tonin nuk e kam parë tek qeveria shqiptare në këto 10 vite. Kemi një bilanc të paradave dhe arritjeve fiktive të kësaj qeverie se sa një entuziazëm dhe energji për të çuar procesin përpara. Kemi një përkushtim më shumë tek propaganda dhe fishekzjarrët në sheshin Skënderbej si verën e shkuar, se sa një angazhim serioz për t’u përballur me sfidën transformuese të vendit. Ne, po përballemi me kohë tejet të vështira dhe rrugëtimi në integrimin Europian nuk është një proces kapriçioje por në të vërtetë një proces bazuar në merita dhe arritje të prekshme. Kur raportet e Bashkimit Europian flasin për domosdoshmëri në përmbushjen e kritereve, nuk mund të fshihemi pas propagandës por duhet të përveshim mëngët për t’i përmbushur ato.
Qeveria shqiptare po tregon jo vetëm mungesë vullneti, sikurse nxjerrin në pah progres raportet, por nismat e qeverise sikurse janë amnistia fiksale, pasaportat e arta dhe projekti i Portit të Durrësit, rrezikojnë të kthejnë pas këtë proces për vendin tonë. Ndaj deputetja e PD, Jorida Tabaku, nga foltorja e Kuvendit beri thirrje qeverisë dhe Kryeministrit Rama të tërhiqet nga këto nisma, të cilësuara edhe si vija të kuqe nga institucionet e Bashkimit Europian dhe Komisioni Europian.