Tabaku prezanton planin emergjent të PD-së për zgjidhjen e krizës ekonomike

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku prezantoi sot planin emergjent të propozuar nga PD për t’u përballur me atë që Tabaku e cilëson si “krizën ekonomike që po rëndon çdo familje shqiptare.”

Përmes një videomesazhi, Tabaku tha se “tre janë plagët kryesore që prekin qytetarët sot, çmimet e larta, pagat e ulëta dhe pensionet e pamjaftueshme.

“Tre janë plagët kryesore: çmimet e larta, të cilat nuk reflektojnë uljen e çmimeve në rajon dhe Evropë për shkak të tregjeve të kapura; pagat e ulëta, të pamjaftueshme për të përballuar jetesën; dhe pensionet e pamjaftueshme për 800 mijë pensionistë që jetojnë në kushte të vështira, si në qytet ashtu edhe në fshat”, shtoi ajo.

Tabaku theksoi se Shqipëria ka nevojë për reforma të thella që të sjellin frymëmarrje për familjet dhe të ndryshojnë modelin ekonomik, por gjithashtu thekson urgjencën për një plan emergjent për 100 ditët e para.

Ky plan, sipas saj, “përfshin tre pika kryesore: rritje të pensioneve për 800 mijë pensionistët , duke siguruar që minimumi jetik të përmirësohet dhe pensionet të arrijnë deri në 500 euro; rritje të pagave në sektorin publik dhe nxitje për sektorin privat, duke synuar një mesatare prej 1200 eurosh; hapjen e tregjeve dhe promovimin e konkurrencës, për të çliruar ekonominë dhe për të eliminuar rritjet e pajustifikuara të çmimeve”.

” Janë masa të realizueshme dhe që kanë në qendër qytetarët shqiptarë, ” u shpreh Tabaku, duke theksuar se plani i Partisë Demokratike është një ofertë konkrete për të adresuar plagët ekonomike të vendit dhe për të ndihmuar qytetarët të jetojnë në mënyrë më dinjitoze.

Ky propozim, sipas saj, është pjesë e strategjisë së Partisë Demokratike për të ofruar një zgjidhje të qartë dhe të drejtë për sfidat që po përjeton vendi.

EMISIONET