Sula: Ndërtimi i kullave, SPAK të "ndjekë" paranë, nuk kanë burim financiar për të realizuar këto ndërtime

Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula në një reagim kundër ndërtimit pas Teatrit të Operas dhe Baletit, renditi ato që i cilësoi 2 nga rreziqet që i kanosin Shqipërisë kullat prej betoni dhe çeliku.
Sipas tij, më 13 prill të këtij viti kur kulla gjigante që do ndërtohet pas Teatrit të Operas dhe Baletit ishte në fazë projekti, në Parlament ngriti shqetësimin për rrezikun: miliona metra katrorë leje ndërtimi për 10 kompani.
“Shumica prej tyre nuk kanë burim financiar për të realizuar këto ndërtime. Edhe më keq akoma, shumica prej tyre nuk kanë marrë as kredi në bankat e nivelit të dytë. “Ndiq Paranë”, kjo është ajo që këshillohet për t’i shkuar në fund paligjshmërisë”, u shpreh Sula.
Sula theksoi se zhurma e momentit tani kur çdo gjë është bërë fakt dhe lulishtja ku do ndërtohet kulla është rrethuar mund të jetë pak populiste, por ajo nuk u zgjidh problemet.
“Ndaj që të shpëtojmë edhe hapësirat e gjelbra të parqeve dhe lulishteve të Tiranës dhe Shqipërisë duhet të shkojmë pak më në brendësi të problemit. A kanë kapacitete financiare kompanitë e mëdha në shqipëri për të ndërtuar kulla me vlerë deri në 200 milionë euro?! Nëse nuk kanë, a kanë marrë kredi për financimin e projektit? Nëse edhe këtë element nuk e kanë ezauruar (që siç qarkullojnë informacionet, nuk e kanë ezauruar), atëherë nga i gjejnë paratë?”, argumentoi ai.
“Këtu duhet të inkurajojmë SPAK dhe ta mbështesim që të ndjekë paratë. Vetëm kështu i shkohet në themel problemit dhe shpëtojmë edhe hapësirat publike nga betoni, por edhe dalim nga lista gri e Moneyval që na konsideron si “parajsë e pastrimit të parave””, përfundoi Sula.

