Strazimiri: Rekomandimet e Komisionit të Venecias nuk u zbatuan për Reformën në Drejtësi

Gjatë konferencës “30 vite partneritet dhe progres: Shqipëria, Këshilli i Evropës dhe Komisioni i Venecias”, në panelin kushtuar Reformës në Drejtësi, deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri tha se, rekomandimet e Komisionit të Venecias nuk u zbatuanpër reformën në drejtësi dhe se konsensusi bipartizan “u shua” menjëherë pas ndryshimeve kushtetuese.
Ai e cilësoi demokracinë shqiptare “në kushtet e urisë ekstreme”, pasi sipas tij i mungon “ushqimi kryesor: liria”.
“Asnjë prej rekomandimeve që na sollën nga Komisioni i Venecias nuk u zbatua nga mazhoranca dhe nuk shënua për të parandaluar kolapsin dhe konfuzionin dhe moseficiencën e sistemit të drejtësisë. Konsensusi bipartizan përfundoi menjëherë pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese dhe mazhoranca miratoi e vetme të gjithë paketën e ligjeve që do vinte në zbatim reformën duke filluar kështu për pasojë fillimin e kapjes së sistemit” tha Strazimiri.
Gjithashtu, vijoi ai, Vetingu u udhëhoq nga persona të pavetuar vetë.
“Nuk mund të bëhet drejtësi sipas interesit politik të momentit. Stoku i dosjeve ka arritur deri aty sa sot një shqiptari për të marrë drejtësi i duhen 16 vjet minus 16 ditë. Ka mungesë të personave të kualifikuar për prokurorë dhe gjyqtarë. Qeveria reduktoi numrin e gjykatave edhe pse ato janë të përmbytura nga numri i stokut të dosjeve”, theksoi Strazimiri.
Sipas tij, demokracia shqiptare mbase ka të njëjtën moshë me Komisionin e Venecias, por nuk ka lindur në të njëjtin maternitet me të.
“Ndryshe nga Komisioni i Venecias demokracia shqiptare është rakitike se i është mohuar ushqimi i saj, liria dhe është në kushtet e urisë ekstreme të nivelit të ekzistencës. Ka një thirrje për ta shpëtuar”, u shpreh Strazimiri.


