Skenarët e zvarritjes nga Veliaj/ Avokati i pandehur kapet duke gënjyer

Kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj me 13 akuza dhe 5 vepra të rënda penale vijon me skenarët e tij për të zvarritur proceset gjyqësore.
Akti i radhës është një ankimim në Gjykatën Kushtetuese ndaj vendimit për kalimin e çështjes së tij për gjykim.
Avokati i pandehur i Veliajt, Plarent Ndreca në një njoftim të publikuar në faqen zyrtare të kryebashkiakut thotë: “Z. Veliaj dhe mbrojtjes së tij i është mohuar koha reale për të analizuar një dosje me dhjetëra mijëra faqe, duke e reduktuar mbrojtjen në një formalitet”.
Në fakt kjo është një tjetër gënjeshtër e fabrikuar nga avokati i pandehur i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, pasi në të vërtetë, aktet e dosjes hetimore prej muajsh i janë vendosur në dispozicion Veliajt dhe mbrojtjes së tij.
Dhe jo vetëm një herë. Kujtojmë këtu se vetëm pak javë më parë iu dërguan aktet e dosjes të printuara në Burgun e Durrësit, ku fillimisht refuzoi t’i marrë, kërcënoi dhe fyeu oficerët që ia dërguan dhe më pas ditën tjetër i kërkoi sërish dhe iu vunë në dispozicion aktet.
Ajo që ndodh është shumë e qartë. Veliaj me skenarë dhe makinacione vijon tentativat e tij për të zvarritur proceset gjyqësore.
Ai vazhdon që të shtyjë seancat në gjykatë pasi ka frikë të përballet me faktet dhe provat kundër tij, është një frikacak që nuk do të gjykohet pasi nuk ka guximin të përballet me drejtësinë.
Veliaj vazhdon të përdorë makinerinë e tij për të sulmuar prokurorët, gjyqtarët që merren me çështjen e tij.
Kemi parë fushatën e sulmeve që ka ushtruar që prej momentit të arrestimit të tij ndaj drejtësisë, ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve. Një sulm që vazhdon të dirigjohet nga biruca e burgut të Durrësit.
Tashmë lëvizja e tij e radhës për të zvarritur proceset është çuarja në Gjykatën Kushtetuese të vendimit të gjykatës për të kaluar në gjykim dosjen e tij të kopsitur nga SPAK ku rëndojnë 13 akuza për 5 vepra të rënda penale, shpërdorim detyre, korrupsion, pastrim të produkteve të veprës penale, fshehje e pasurisë dhe futja e sendeve të ndaluara në qeli./ CNA


