Skandali “McGonigal”, Berisha shpërthen në akuza: Edi Rama, s’ka nder, moral dhe as komb
Nga mbledhja e Grupit Parlamentar, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha lëshoi një lumë akuzash ndaj kryeministrit Edi rama lidhur me përfshirjen e tij në dosjen e skandalit të arrestimit të ish-zyrtarit të lartë të FBI-së Charles McGonigal.
“Mblidhemi në një kohë kritike në shumë aspekte, regjimi i kalbur i Edi Ramës është sot regjimi më i diskredituar pas Koresë së Veriut, Carit dhe Lukashenkos.
Edi Rama, siç dëshmojnë dokumentet e pakundërshtueshme, është sjellë ndaj SHBA sikur të ishin një vend armik dhe jo kontributori kryesor në historinë e lirisë së kombit shqiptar. Dhe jo udhëheqësi i botës së lirë, i aleancës së Atlantikut të Veriut, vendi kryesor përgjegjës për paqen dhe sigurinë e vendeve të lira.
Akti i Edi Ramës është një thikë e tmerrshme pas shpine që ky njeri, i cili nuk ka nder, nuk ka komb, nuk ka atdhe, nuk ka flamur, nuk ka dinjitet, ka bërë ndaj kombit amerikan, SHBA, qeverisë së SHBA, por edhe më gjerë.
Edi Rama ka përbaltur pas Enver Hoxhës, më shumë se kushdo tjetër, emrin e shqiptarit dhe Shqipërisë, para kombit amerikan, para qeverisë së SHBA dhe Kongresit të këtij vendi dhe institucioneve të tjera të këtij vendi.
Edi Rama, e vërteta thashë edhe njëherë, është sjellë me aktin e tij, siç sillet armiqtë ndaj njëri-tjetrit.
Në këtë mënyrë, ai ka lënduar çdo shqiptar, i cili ka mirënjohje si virtyt të palëkundur moral të tij.
Ka lënduar në mënyrë të tmerrshme shqiptaro-amerikanët, të cilët që nga viti 1910 e gjer më sot, në mënyrë të pareshtur, trokasin në dyert e ligjvënësve të tyre, kongresmenëve dhe senatorëve, në dyert e institucioneve të SHBA e gjer në derën e madhe të Shtëpisë së Madhe për të kërkuar ndihmë dhe mbështetje për Shqipërinë dhe Kosovën. Për ata, kjo është ndoshta, pas diktaturës, java më e vështirë e tyre, para qytetarëve, miqve të tyre amerikanë, para ligjvënësve, para zyrtarëve, para të gjithëve.”, theksoi Berisha.
Berisha theksoi se Edi Rama, këtë akt të pashembullt, e ka bërë vetëm e vetëm të shkatërrojë opozitën shqiptare.
"Edi Rama është sjellë sikur të ishte biri i Enverit, ose i Kim Jong-unit, dhe në këtë kontekst, mund të themi se ka kryer një akt me pasoja absolutisht të rënda.
Ky është një rast që skalitet për fat të keq, gjatë në memorie. Kësaj i thonë të të vijë nga ai që kurrë nuk e pret.
Por Edi Rama, këtë akt të pashembullt, e ka bërë vetëm e vetëm të shkatërrojë opozitën shqiptare.
Këtë korruptim të njërit prej njerëzve absolutisht më të rëndësishëm në fushën e sigurisë së SHBA, ky njeri që mund t’i vësh çdo lloj epiteti, e ka bërë vetëm për të rrënuar në një akt armiqësor absolut ndaj demokracisë, për të rrënuar opozitën shqiptare.
Ka korruptuar Charles McGonigal, ka shfrytëzuar dobësitë e një njeriu të degraduar që shkelmon betimin që ka bërë për t’i shërbyer vendit të tij, dhe e ka përdorur atë për rrënimin e opozitës shqiptare, pasi ajo kishte humbur zgjedhjet.
Por kjo nuk i mjaftonte atij. Ai duhet ta merrte peng këtë opozitë. Një kriminel si ky, është vështirë ta imagjinosh në politikë", u shpreh Berisha.
Berisha tha gjithashtu, se Rama kishte një qëllim tjetër, të merrte peng, siç e mori, ish-kryetarin e PD-së Lulzim Bashën, e për rrjedhojë Partinë Demokratike.
"Edi Rama kishte, nëse për arsye të sigurisë kombëtare, ai duhet të bënte një transparencë për paratë e përdorura nga Lulzim Basha. Kishte rrugë ligjore kushtetuese. Rruga ligjore ishte prokuroria shqiptare dhe Departamenti i Drejtësisë në SHBA, FBI.
Shqipëria ka marrëveshje ekstradimi me SHBA. Hetimi mund të bëhej i plotë.
Por ai kishte një qëllim tjetër: të merrte peng, siç e mori, ish-kryetarin e PD-së, për rrjedhojë Partinë Demokratike.
Vetëm një njeri që nuk ka nocionet më minimale, ose nuk respekton nocionet më elementare të demokracisë, vepron në këtë mënyrë.
Një kryetar opozite, kur shkel rregullat, shkarkohet. Kur shkel ligjet, përballet me pasojat ligjore. Por peng nuk merret kurrë.
Shikoni se çfarë bën Edvin Koleka. Çfarë urrejtje të papërmbajtur ka ky njeri për opozitën? Po more peng kryetarin e opozitës, ke marrë peng demokracinë. Kjo ndodhi", u shpreh kryedemokrati Sali Berisha.