“Skamja e vrafëria, këmbëkryq”/ Berisha: Çmimet në Shqipëri janë 7 % më të shtrenjta se në BE

Ish-kryeministri Sali Berisha nga foltorja e selisë blu deklaroi se ccmimet në Shqipëri janë 7 përqind më të shtrenjta se në mesataren e vendeve të Bashkimit Evropian.

“Sirenat e dhimbjeve të skamjes, urisë dhe varfërisë po bien në çdo qoshe në të katërt anët e vendit.

Shqiptarët, çdo muaj, përballen me rritje çmimesh, ushqimet sot në Shqipëri janë më të shtrenjta se në Itali, Greqi, janë përafërsisht sa në Gjermani dhe janë 7 përqind më të shtrenjta se në mesataren e vendeve të BE.

Rritja e çmimit të ushqimeve, sipas statistikave zyrtare, është 11.5 përqind, sipas statistikave reale është 13.5 përqind dhe kjo godet në mënyrën më të egër pensionistët, të papunët dhe familjet me ndihmë ekonomike.

Këto çmime, e bëjnë Shqipërinë një vend të pajetueshëm, e bëjnë jetën në Shqipëri të papërballueshme.

Unë mund t’u them se 48 përqind e totalit të pensionistëve shqiptarë, janë me pagesa të pjesshme.

Kështu, në vitin 2022, nga 481.420 përfitues të pensionit të pleqërisë, 231.722 prej tyre janë me pagesë të pjesshme.

Vendimi i qeverisë për të sjellë ligjin në parlament për indeksimin e pensioneve në masën 8 përqind është absolutisht një hipokrizi në sensin që nuk indekson as inflacionin. Kjo përqindje është 3 përqind më e ulët sesa vlera zyrtare e inflacionit dhe 5.5 përqind e ulët sesa vlera reale e inflacionit”, deklaroi Berisha.

Lidhur me rritje e çmimeve, Berisha theksoi se ka vetëm një zgjidhje, vendosja e minimumit jetik prej 200 eurosh për person

“Në të gjitha aspektet, ka vetëm një zgjidhje emergjente dhe kjo zgjidhje është vendosja e minimumit jetik për të gjithë shqiptarët.

Vendosja e minimumit jetik, e llogaritur kjo nga Avokati i Popullit dhe i përllogaritur me ndihmën e ekspertëve më të mirë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, pra, vendosja e tij sipas kësaj shifre është përgjigjia e vetme e domosdoshme ndaj situatës alarmante të krijuar me rritjen e çmimeve të produkteve bazë të jetës së qytetarëve.

Në këtë kontekst, PD ka dorëzuar në parlament prej disa muajsh, ligjin për minimumin jetik. Ajo do bëjë të gjitha përpjekjet për votimin e kësaj ligji, i cili është plotësisht i përba…”, u shpreh Berisha.

Ish-kryeministri theksoi se udhëtimi i kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit Bajram Begaj për në OKB, është më i kushtueshmi, pasi Rama refuzoi ta pranojë Begajn në avionin e tij.

“Mos harroni se udhëtimi për në OKB i Edi Ramës dhe presidentit të vendit, do të jetë njëri nga udhëtimet më të kushtueshme të përfaqësuesve të një shteti.

35 vetë ndodhen në delegacionet e tyre në Nju Jork.

Një numër i tillë i madh është më i pazakonti dhe do të thotë, po të keni parasysh se Edi Rama refuzoi të pranojë në Ismailin e tij, delegacionin e kryetarit të shtetit, do të thotë një shpenzim gjer në gjysmë milionë euro nga buxheti i qytetarëve.

Po ky është vetëm njëri aspekt. Vjedhjet e tyre janë të përditshme dhe të pafundme.

U bëj thirrje qytetarëve të ushtrojnë presionin më të madh ndaj deputetëve, në mënyrë që të votojnë në emër të interesave më jetike të shqiptarëve në nevojë, ligjin për minimumin jetik”, u shpreh ish-kryeministri Sali Berisha.

EMISIONET