Shqipëria në shënjestër të hakerave, Çuçi: Do rrisim investimet në mbrojtjen kibernetike

Shqipëria në shënjestër të hakerave,

Në konferencën për sfidat e sigurisë kibernetike, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ngriti shqetësimin për rritjen e investimeve në mbrojtjen kibernetike.

“Forcimi i sigurisë kibernetike, veçanërisht në këtë periudhë ku lufta teknologjike po sofistikohet e po bëhet përherë e më e ashpër, kthehet çdo ditë në një sfidë, e cila kërkon gjithmonë vëmendje, angazhim e bashkëpunim.

Kemi zgjedhur të kemi në krah partnerët e duhur në këtë betejë, për t’i bërë ballë sulmeve dashakeqëse. Dixhitalizimi dhe mbrojtja e sistemeve tona është gjithmonë në fokus të Qeverisë Shqiptare”, u shpreh ndër të tjera ministri Çuçi.

Ministri u shpreh se Policia e Shtetit duhet të jetë e mobilizuar për t’iu përgjigjur sfidave që po sjellë kjo epokë e re.

“Kjo është në vetvete një sfidë e vazhdueshme me modernitetin, sfidë me të cilën do duhet të përballemi. Njësoj siç kemi rendur vazhdimisht për t’i bërë sistemet tona me eficente për t’u kursyer kohën qytetareve, kemi barrën e madhe të ngremë të gjitha kapacitetet e nevojshme për të garantuar të dhënat.

Për t’i shërbyer sa më mirë qytetarëve, por edhe për të ndihmuar institucione të tjera në vend si ato të drejtësisë, Policia e Shtetit ka ardhur vazhdimisht duke u modernizuar përmes adaptimit të teknologjisë dhe sistemeve inovative dhe duke qenë të bindur se vende të vogla si Shqipëria mund të bëjnë kapërcime epokale vetëm përmes shfrytëzimit të avantazheve që krijon teknologjia”, tha ai.

EMISIONET