"Shqipëria larg BE-së për shkak të krizave"/ Xhixho mesazh për 9 Majin: Të rinjtë po largohen, nevojë për shpresë dhe reforma

Deputetja e PL-së, Erisa Xhixho, ka reaguar në 9 Maj, Ditën e Europës, me një mesazh mbi rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
Në një postim në "Facebook", ajo e cilëson 9 Majin si ditën që kujton projektin më të madh të paqes dhe bashkëpunimit në Europë, duke shtuar se për Shqipërinë kjo ditë është më shumë se simbolike.
Sipas saj, integrimi europian është e vetmja rrugë për vendin dhe kjo duhet të nisë nga brenda, përmes forcimit të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe institucioneve funksionale.
Xhixho ka rikujtuar edhe historinë dhe orientimin europian të shqiptarëve ndër vite, duke përmendur figura historike dhe ngjarje që, sipas saj, tregojnë zgjedhjen e vazhdueshme të shqiptarëve për t’u rreshtuar krah Europës.
Ajo ka ngritur shqetësime për situatën aktuale në vend, duke përmendur problemet me zgjedhjet, korrupsionin, krimin e organizuar, largimin e të rinjve dhe varfërinë, që sipas saj e mbajnë Shqipërinë larg standardeve europiane.
Ajo shprehet se Shqipëria duhet të ndërtohet si një vend me më shumë shpresë dhe mundësi për të rinjtë dhe të ecë pa pengesa drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.


