"Shqipëria ende larg Europës jo në letra"/ Mile: Por në funksionimin e shtetit dhe institucioneve

Në emisionin “Ora e Betit” në Ora News ishte i ftuar pedagogu Klementin Mile, i cili diskutoi mbi procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe situatën politike në vend.

Ai foli për problemet e përditshme të qytetarëve, raportin me shtetin dhe arsyet pse, sipas tij, vendi vazhdon të përballet me vështirësi strukturore, pavarësisht aspiratës për në Bashkimin Europian.

“Nuk është çështja vetëm e standardeve apo e dokumenteve të Brukselit. Problemi është raporti që kemi me shtetin, si funksionojnë shërbimet, si zbatohen ligjet dhe si trajtohet qytetari. Aty shihen problemet reale.”-shtoi Mile.

Ai shtoi se diferenca me vendet europiane vihet re qartë në jetën e përditshme dhe jo vetëm në statistika apo raporte.

“Në shumë fusha kemi probleme të dukshme, nga zbatimi i ligjit te korrupsioni dhe shërbimet publike. Këto nuk janë perceptime, por realitet që qytetarët e shohin çdo ditë.”-tha ai.

Sipas tij, procesi i integrimit nuk duhet parë vetëm si formalitet institucional, por si ndryshim i thellë i mënyrës së funksionimit të shtetit dhe shoqërisë.

Ai tha se Shqipëria ende nuk ka arritur një “frymë europiane” të plotë, duke e përshkruar shoqërinë si ende të mbetur në modele të vjetra të funksionimit institucional.

“Integrimi nuk është vetëm çështje dokumentesh. Është mënyrë jetese institucionale dhe shoqërore. Në shumë raste ende mbetemi larg një mënyre europiane të të menduarit dhe të funksionimit.”-u shpreh pedagogu.

Në pjesën e debatit u diskutua edhe qëndrueshmëria e qeverisë dhe mbështetja politike në vend.

Sipas tij, një pjesë e qytetarëve e zgjedhin qeverinë aktuale jo domosdoshmërisht nga bindja, por nga mungesa e alternativës së besueshme politike.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA E BETIT" NË ORA NEWS:

 

EMISIONET