Shkarkimet e nënkryetarëve të Bashkisë Tiranë/ Teliti: S’mbushet legjitimiteti i humbur me emërime intervistash!

Teksa shkarkimet në bllok të nënkryetarëve të bashkisë më të madhe të vendit u njoftuan këtë të enjte, ka ardhur edhe reagimi i parë nga nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Telitit.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Teliti thotë se zëvendësit e rinj, në Bashkinë e Kryeqytetit nuk janë gjë tjetër veçse, tentativë e dëshpëruar për të mbushur boshllëkun e një legjitimiteti të humbur.
Përballë zgjidhjes ‘kozmetike’, Teliti sugjeron si rrugë të vetme të legjitimitetit të mbarëvajtjes së Bashkisë së Tiranës, zgjedhjet e parakohshme, që sipas tij, do i jepnin frymëmarrje kryeqytetit.
Statusi
Emerimet e katër nënkryetarëve në Bashkinë e Kryeqytetit nuk janë gjë tjetër veçse tentativa e dëshpëruar për të mbushur boshllëkun e një legjitimiteti të humbur, duke gjetur "prestanome" të rinj për t'u shfaqur nëpër ekrane!
Tirana nuk ka nevojë për "inxhinierë" të tjerë të zvarritjes dhe cimentimit të keqadministrimit që po mbyt këtë qytet.
Populli i Tiranës nuk është i mashtrueshëm. Tiranës nuk i duhet asnjë "zgjidhje" kozmetike që thellon varësinë e qeverisjes lokale ndaj asaj qëndrore.
Tiranës i duhet i duhet rinia, i duhet vizioni, i duhet kurajo dhe mbi të gjitha profesionalizmi dhe besnikëria ndaj interesave të saj zhvillimore.
E vetmja rrugë për të ecur përpara janë zgjedhjet e parakohshme! Sa më shpejt të shkojmë drejt tyre, aq më shpejt Tirana do të marrë frymë lirshëm. Mjaft më me zvarritje!

