Blushi prezanton 16 propozimet e PL-së për shëndetësinë: Dyfishim pagash për mjekët, mbulim total barnash për pensionistët
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, prezantoi një paketë me 16 propozime për sistemin shëndetësor, duke e cilësuar situatën aktuale si shumë problematike për qytetarët.
Në tryezën për shëndetësinë, ai foli për vështirësitë që hasin pacientët, sidomos në trajtimin e sëmundjeve të rënda si kanceri.
Sipas tij, mungesa e barnave, pajisjeve dhe kapaciteteve në spitale ka krijuar një situatë të rënduar, ku shumë pacientë përballen me pritje të gjata dhe kushte jo të përshtatshme.
Blushi përmendi edhe rastin e Spitalit Onkologjik, ku numri i pacientëve është i lartë ndërsa kapacitetet janë të kufizuara. Ai solli në vëmendje edhe shqetësime të familjarëve për mungesë transparence në disa raste trajtimi.
Në planin e propozuar, Partia e Lirisë parashikon rritje të financimit për shëndetësinë, duke synuar arritjen e nivelit mesatar të rajonit.
Një nga pikat kryesore është dyfishimi i pagave për mjekët dhe infermierët, me qëllim frenimin e largimit të tyre nga vendi.
Po ashtu, propozimet përfshijnë rimbursim më të gjerë të barnave, sidomos për pensionistët, shtim të listës së medikamenteve në treg, si dhe përmirësim të shërbimeve në spitale dhe qendra shëndetësore.
Në fokus është edhe ulja e kostove për qytetarët dhe garantimi i shërbimeve bazë pa pagesë për kategoritë në nevojë.
Një tjetër pikë e rëndësishme lidhet me rishikimin e koncesioneve në shëndetësi dhe rritjen e kontrollit mbi fondet publike, si dhe forcimin e shërbimit parësor dhe të mjekut të familjes.
Propozimet përfshijnë edhe masa konkrete për pensionistët, si mbulimi i barnave me recetë, shërbime në banesë dhe përparësi në marrjen e shërbimit shëndetësor.
Sipas Blushit, kjo paketë synon të përmirësojë kushtet në sistemin shëndetësor dhe të rrisë cilësinë e shërbimit për qytetarët.


