Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës: PDK-ja s’bën koalicion me VV-në, preferon koalicion me opozitën!

Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës: PDK-ja

Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, tha se PDK-ja është e gatshme për një koalicion me parti të tjera opozitare, por jo edhe për një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, që fitoi zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Megjithatë, Çitaku shtoi se ende duhet të përfundohen disa procedura, si numërimi i të gjitha votave, para se se të fillojnë konsultimet, bisedimet me partnerët eventualë të koalicionit, që do të udhëhiqet nga Bedri Hamza.

“Çdo vendim politik i PDK-së do të merret nga organet e partisë duke u bazuar në interesin e qytetarëve. Ne jemi te gatshëm ta marrim përgjegjësinë e qeverisjes me vendin”, tha Çitaku në konferencën për media.

Në bazë të 99 për qind të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti mori më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, përkatësisht 47 nga 120 vendet parlamentare. Megjithatë, këto ulëse nuk janë të mjaftueshme për të formuar qeverinë e vetme.

Për të pasur shumicën në Kuvend, një partie i duhen së paku 61 deputetë nga 120 sa ka ky institucion gjithsej. Por, përqindja pritet të ndryshojë pas numërimit të votave të diasporës. Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk ka dhënë qëndrim zyrtar lidhur me koalicionet e mundshme paszgjedhore, ndërsa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ngjashëm si PDK-ja, e përjashtoi mundësinë e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje.

Me kënaqësi do të kishim bashkëpunuar me subjektet politike opozitare shqiptare, për të krijuar shumicën që realisht është e mundur. Është në nderin tim që ta ndihmoj një qeveri të opozitës assesi me Vetëvendosjen”, tha Haradinaj, në një konferencë për gazetarë.

Njëzet nga 120 ulëset në Kuvendin e Kosovës u takojnë minoriteteve dhjetë komunitetit serb dhe dhjetë komuniteteve joserbe. Përfaqësues politikë të komuniteteve pakicë joserbe në Kosovë, të cilët, sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kanë hyrë në Kuvendin e Kosovës, kanë thënë do të mbështesnin - parimisht - cilindo mandatar për formimin e qeverisë së re, pavarësisht nëse do të vinte nga partia aktuale në pushtet, Vetëvendosje, apo nga partitë opozitare.

Disa nga ata, me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, kanë kushte për mbështetjen e kandidatit të ri për kryeministër, ndërsa të tjerë nënkuptojnë mbështetje të pakushtëzuar për cilëndo qeveri. Gjatë fjalimit kur shpalli fitoren në ditën e zgjedhjeve, lideri i VV-së, Albin Kurti, i cili shërbeu si kryeministër nga viti 2021 në koalicion me pakicat joserbe, tha se partia e tij do të qeverisë edhe në katër vjetët e ardhshëm, por pa dhënë detaje se si apo në aleancë me kë.

Kur i fitoi zgjedhjet për herë të parë në vitin 2019, Kurti e formoi qeverinë me mbështetjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Por, pikërisht me iniciativën e këtij partneri të koalicionit, ajo qeveri ra më pak se dy muaj pas formimit, për shkak të mosmarrëveshjeve për menaxhimin e pandemisë së koronavirusit. Në zgjedhjet e mëvonshme, VV-ja fitoi mbi 50 për qind të votave dhe arriti ta formojë qeverinë pa pasur nevojë për koalicion me partitë opozitare. Qeveria "Kurti 2" u bë qeveria e parë në Kosovë që e përfundoi mandatin katërvjeçar./REL

EMISIONET