Rinumërimi për Tiranën dhe Fierin/ Olli: Procesi zgjedhor në Shqipëri është normal dhe korrekt, pa devijime të mëdha
Analisti Leonard Olli në një lidhje të drejtpërdrejtë në "Ora News" vlerësoi procesin zgjedhor në Shqipëri, duke theksuar se në aspektin teknik ai është i rregullt dhe korrekt, ndërsa gabimet e mundshme janë kryesisht njerëzore.
" Sistemi zgjedhor ka rregullësitë dhe ligjësitë e veta dhe nuk është se përkon shumë me llojin dhe formën e deklaratave post-zgjedhore që zakonisht subjektet politike apo argumentet që ata ngrejnë me ecurinë e procesit zgjedhor.
Procesi zgjedhor në Shqipëri ndahet në dy momente, momenti i parë është pjesa parazgjedhore, fushata, puna në terren, mënyrat e zhvillimit të fushatës dhe pjesa e dytë pastaj është procesi zgjedhor në vetvete që fillon nga dita e votimit deri në përfundim të procesit të numërimit.
Duke patur parasysh kuadrin ligjor kam përshtypjen se në procesin teknik të votimit që fillon me hapjen e kutive të votimit në ditën e diel në orën 7 e deri në mbylljen e tyre dhe më pas në procesin e numërimit, unë besoj që procesi është normal, i rregullt dhe korrekt.
Sigurisht nuk përjashtohen veprimet në rastin më të mirë do ti quaja veprime tifozi, në raste të këqija do ti quaja veprime të qëllimta për ti tjetërsuar votat por në eksperiencën time dhe nga ndjekja e afërt që iu kam bërë këtyre proceseve ndër vite nuk kanë rezultuar devianca të mëdha në të gjitha ato raste kur është kaluar në procedurat e rinumërimit të materialeve zgjedhore.
Besoj që nëse do të kenë gabime ose mospërputhje, më tepër do të jenë të një karakteri të gabimit njerëzor por nuk besoj se do të kemi dyshime", u shpreh Olli.

