Rijetësimi i industrisë së armëve, zv/ministri i Mbrojtjes Tola: Pjesë e angazhimit tonë në NATO

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Dorian Tola prezantoi sot në komisionin për Çështjet Ligjore, propozimin e qeverisë për ndryshimet ligjore që i hapin rrugë rijetësimit të industrisë së armatimit.
Tola tha se projektligj “Për rregullimin e prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, vjen si nevojë edhe e zhvillimeve gjeopolitike, konfliktit në Ukrainë dhe si angazhim i vendit tonë në aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO).
“Synimi është rijetësimi i industrisë ushtarake, si pjesë e angazhimeve tona si anëtar e NATO. Krerët e shteteve të NATO-s mbështetën planin e veprimit për rritjen e nivelit të rezervës për armatime dhe municione.
Kërkesa për prodhim ushtarak është rritur në nivele të ndjeshme.
Çmimet në sektorë janë shumëfishuar. Zhvillimi i industrisë ushtarake do të krijojë një stimul për ekonominë e vendit, do të nxisë rritjen e dijes në fushën e armatimit dhe do të rrisë pavarësinë e vendit për sa i takon furnizimit me armë e municione, në një kohë ku kërkesa është shumë e madhe”, tha Tola.
”Faktikisht janë dy projektligje të propozuara. Së pari, krijimi i shoqërisë shtetërore për prodhimin e armëve, teknologjive ushtarake.
Dhe së dyti, ky që po diskutojmë se përmes të cilit synohet krijimi i një kuadri ligjor mbi të cilën do të jetësohet kjo industri, sikurse do të krijohet edhe agjencia e industrisë së mbrojtjes, si strukturë përgjegjëse rregullatore, pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes”, tha Tola.
“Vendi ynë ka trashëguar një industri ushtarake në formën e ndërmarrjeve shtetërore, të amortizuar gjatë viteve dhe thuajse jashtë funksionit.
Mungesa e burimeve njerëzore të specializuara, mungesa e infrastrukturës, teknologjisë dhe elementeve të tjera sjellin të nevojshëm dhe investime në fushën e prodhimit të armëve.
Prandaj synohet krijimi i një strukture të përshtatshme për të konkuruar dhe për të qenë aktive në treg dhe për të tërhequr partneritete serioze”, tha Tola.
Zv.ministri tha se me armët po përsëritet në njëfarë mënyre ajo që ndodhi me vaksinat në kohën e COVID 19, kur tregu nuk përballonte dot kërkesën dhe vende të caktuara nuk patën menjëherë akses.
“Ne duhet të jemi gati dhe të mos rrimë në radhë të presim për armë e municione, por duhet të prodhojmë e tregtojmë vetë”, tha Tola.
Nënkryetarja e Komisionit të Ligjeve, Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi, kundërshtoi projektligjin Për rregullimin e prodhimit, dhe tregtimit të armëve, duke e cilësuar si ligj klientelist dhe kriminal.
“Ky është ligj me procedurë të përshpejtuar dhe ligj mafioz. Pse bëhet urgjent? Pse me partneritet publik? Kush është partneri i qeverisë që do të marrë prodhimin e armëve? Armët janë sheshit dhe po vriten njerëzit.
Ligji për prodhimin e armëve nuk jep asnjë garanci për sigurinë publike dhe kombëtare për buxhetin dhe pritshmëritë në të ardhurat e vendit dhe garancitë për mjedisin në vend. A kemi të bëjmë me klientelizëm?
Duket se edhe ky ligj është ligji i radhës i porositur nga oligarkët”, u shpreh Çupi.
Zv/ministri Tola tha se ligji për rikthimin e industrisë së armëve është vlerësuar pozitivisht nga partnerët dhe vjen si një kërkesë e kohës, duke parë dhe agresionin e pa provokuar të Rusisë në Ukrainës.
“Është në përputhje me angazhimet që kemi në NATO”, u shpreh Tola.

