Reforma Zgjedhore dështoi, por ambasadori i BE-së nuk heq dorë: Të ndiqen rekomandimet e OSBE-së
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, në një prononcim për mediat nga Shkodra tha se për Reformën Zgjedhore duhet të ndiqen rekomandimet e OSBE-së.
Ai theksoi se shpreson që partitë të gjejnë rrugën në përgjigje të pritshmërive të qytetarëve shqiptarë.
Sipas tij, i gjithë procesi duhet të jetë gjithëpërfshirës.
“Kjo është diçka që më ka shqetësuar që në fillim, kur erdha në Shqipëri dhjetorin e kaluar. Dhe unë e kam bërë të qartë qëndrimin tim, bazuar edhe në dokumentin zyrtar tonin, është e rëndësishme të ndjekin rekomandimet e OSBE-së dhe të bëhet në mënyrë gjithëpërfshirëse.
Kam shpresuar se kontaktet me partitë e ndryshme do jepnin rezultat. Gjithashtu, tani di se janë edhe disa çështje të tjera që duhen adresuar, që është vendimi i Kushtetueses, i cili duhet parë sërish.
Ende shpresoj që partitë do të gjejnë rrugën, në përgjigje të pritshmërive të qytetarëve shqiptarë. Dhe të sigurojnë se zgjedhjet e ardhshme të bëhen në klimën më të favorshme të mundshme.
Ne duam të shmangim një rezultat elektoral, i cili ndoshta kontestohet. Duam që zgjedhjet të bëhen në mënyrën e duhur, që sjell stabilitet, që Shqipërisë i duhet në rrugën drejt BE-së.
Këto janë kohë vendimtare ku negociatat me BE-në shkojnë në një fazë të caktuar dhe ne na nevojitet kapacitet administrativ, dhe vendosmëri politike për integrimin evropian”, u shpreh ai.
Kujtojmë se pak ditë më parë Partia Socialiste depozitoi në Kuvend draftin e saj të njëanshëm, dhe pa konsensusin e opozitës për mendimet ligjore në Kodin Zgjedhor, duke nënkuptuar kështu edhe dështimin e tryezës së reformës zgjedhore, që u ngrit pak muaj më parë.



