Redi Ramaj: Në Shqipëri ligji shpesh nuk zbatohet, fushatat elektorale mbeten primitive
I ftuar në emisionin "Drejt" në Ora News, avokati Redi Ramaj u shpreh se në Shqipëri, si gjatë fushatave zgjedhore ashtu edhe gjatë çdo qeverisjeje, ligji shpeshherë nuk ka pasur rëndësi dhe nuk është zbatuar siç duhet
" Si në shumë raste në Shqipëri, si në raste zgjedhjesh por dhe gjatë gjithë çdo qeverisjes së çdo partie besoj nuk ka pasur rëndësi ligji, nuk ka rëndësi të zbatohet ligji jo vetëm për fushatat elektorale.
Ne nga institucionet ndërkombëtare jemi kritikuar për këtë situatë, për përdorimin e resurseve në fushatë, për polaritizimin e forcave para se të vijë dita e zgjedhjeve.
Mënyra sesi ne bëjmë fushatë është në mënyrë primitive. I shërben vetëm partive për të marrë sa të munden, pasi një sasi votash dhe një pjesë të elektoratit e kanë të lidhur pas tyre në forma të ndryshme dhe e gjithë pjesa tjetër pastaj bëhet për të kapur atë minimalisten e njerëzve të cilët mund të ndryshojnë deri ditën e zgjedhjeve.
Këtu nuk ka rëndësi ligji. Shumë parti janë gjobitur, kryesisht partitë në pushtet për përdorimin e shkollave e të klasave për fushata e shumë politikanë kanë marrë gjoba. Janë të pakonsiderueshme dhe të papërfillshme për impaktin dhe mënyrën si ndikojnë ato në këto zgjedhje. Dhe këto zgjedhje nuk bëjnë përjashtim", u shpreh Ramaj.