Raporti i OECD/SIGMA, Pirdeni: Shqipëria pozicionohet lidere rajonale në disa sektorë

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni deklaroi sot se Shqipëria është pozicionuar si vend lider rajonal në shumicën e indikatorëve të matur nga SIGMA, të tillë si menaxhimi i financave publike, qeverisja digjitale, menaxhimi i burimeve njerëzore dhe zhvillimin e politikave

Në konferencën “Transformimi i Sektorit Publik: Themeloret e Reformës së Administratës Publike në Shqipëri”, që u mbajt sot në Tiranë, në bashkëpunim me OECD/SIGMA, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, si dhe drejtuesi i Programit SIGMA të OECD-së, Gregor Virant, u prezantuan gjetjet e raportit të monitorimit OECD/SIGMA.

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Pirdeni, theksoi se të dhënat e SIGMA-s në shtyllat e vlerësimit konfirmojnë qartë progresin e prekshëm të Shqipërisë në reformën e administratës publike.

“Më shumë sesa një analizë teknike, ky raport ngre një pasqyrë të pagënjeshtërt të progresit, por edhe sfidave të Shqipërisë dhe është një dëshmi konkrete e pjekurisë së administratës sonë ndaj standardeve evropiane.

Sot, kemi një administratë që jo vetëm matet, por performon ndjeshëm, ku sikurse do të shpjegohet më në detaje nga kolegët e SIGMA, Shqipëria në shumë indikator ruan në mënyrë solide lidershipin në rajon,” tha ministrja Pirdeni.

Sipas saj, analiza e raportit monitorues të SIGMA-s është një dëshmi e rrugëtimit progresiv të Shqipërisë në reformën e administratës publike duke e pozicionuar lider rajonal në disa sektorë dhe fusha kyçe, përfshirë këtu, menaxhimin e financave publike, qeverisjen digjitale, menaxhimi i burimeve njerëzore dhe zhvillimin e politikave.

“SIGMA vlerëson gjithashtu se rekrutimi në administratën publike shqiptare kryhet i bazuar në meritë dhe transparencë, dhe se rritja e pagave e ka bërë shërbimin civil më tërheqës.

Menaxhimi i shërbimit civil si dhe atraktiviteti i punësimit në administratën publike vlerësohet gjithashtu pozitivisht, edhe në saj të zbatimit të reformës së pagave, duke çuar pagën mesatare në administratë në 968 euro tashmë, pothuajse dyfishin e nivelit të vitit 2013, si dhe zbatimin e një pakete të targetuar fleksibiliteti në punë.

Së fundi këtyre përpjekjeve u është shtuar dhe garantimi i mjediseve dinjitoze të punës, përmes riorientimit tërësor të shfrytëzimit të shtetërore në funksion të ndërtimit të komplekseve të godinave të reja për administratën publike,” tha ministrja Pirdeni.

Ministrja Pirdeni bëri me dije se Strategjia Ndërsektoriale për Reformën në Administratën Publike 2024-2030, është në fazën e konsultimit publik.

“Në fillim të kësaj jave kemi publikuar për konsultim publik Strategjinë e Reformës në Administratën Publike, produkt i një pune më shumë se një vjeçare, me kolegë e partnerë për të konkretizuar me hapa e veprime zbatimin e standardeve evropiane në Shqipëri, sipas zotimeve që kemi marrë në kuadër të procesit të negociatave përmes Udhërrëfyesit për Reformën në Administratën Publike,” u shpreh ministrja Pirdeni.

Raporti i SIGMA-s, tha ajo, jep një pasqyrë të progresit të deritanishëm të administratës publike shqiptare, por edhe një hartë të qartë me rekomandime për hapat e ardhshëm.

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Pirdeni, njoftoi ndryshime të rëndësishme në ligjin “Për nëpunësin civil”  dhe “Administratën publike”.

“Do të paraqesim brenda muajit mars për konsultim publik ndryshime në dy projektligje hartuar me asistencën e projektit EU4GG, ku është rikonceptuar jo vetëm funksionimi i aparatit administrativ, optimizimi i proceseve të punës në administrate, si dhe kontrolli dhe monitorimi më i strukturuar i mënyrës se si performon një institucion, jo vetëm një zyrtar publik,” tha Pirdeni.

Sa i takon fushës së vlerësimit për digjitalizimin dhe ofrimin e shërbimeve publike, administrata publike, vuri në dukje ministrja, ka avancuar ndjeshëm në këtë drejtim.

Sipas SIGMA-s, integrimi i regjistrave dhe ndërveprimi i sistemeve përfaqësojnë një arritje të madhe, duke thjeshtuar procedurat dhe reduktuar barrën administrative.

“Transformimi i shërbimeve publike është më shumë se thjesht një reformë, është një realitet i prekshëm, i bazuar së pari në standarde që do të ngrihen në një tjetër nivel po brenda këtij viti përmes asistentit virtual të e-Albania dhe e-Albania 2.0,” tha ministrja Pirdeni.

Gjetjet e raportit të SIGMA-s, janë burimi kryesor i vlerësimit të Komisionit Evropian në fushën e Administratës Publike në Raportet vjetore të Progresit. Vlerësimi i parafundit për Shqipërinë është kryer në 2021.

SIGMA është një nismë e përbashkët e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim dhe BE-së.

EMISIONET