Rama në prezantimin e ‘Giro d’Italia’ në Romë: Ishim si Koreja e Veriut! Sporti italian na ka ndihmuar të jemi të vetëdijshëm

Rama në prezantimin e ‘Giro d’Italia’ në Romë:

Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në prezantimin e Giro d’Italia në Romë, pasi Shqipëria do të jetë vendi ku do të nisë ky event i rëndësishëm sportiv.

Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë bëri batuta duke thënë se ndihet i veçantë sepse di të ngasë vetëm biçikletë, asnjë mjet tjetër transporti.

“Ndihem këtu pak i veçantë sepse mendoj se jam i vetmi në këtë salla që vozit vetëm biçikletën. Nuk di të ec me makinë apo një mjet tjetër, jam 100% green”, tha Rama.

Ndër të tjera ai kujtoi vitet e Shqipërisë në izolim, duke thënë se sporti italian i ka ndihmuar të jenë gjithmonë të vetëdijshëm se përtej detit ka një jetë tjetër.

“Sporti italian ka një influencë të veçantë te ne, jo si sport, por një jetë tjetër. Sepse ne kemi qenë komplet të izoluar. Shqipëria ka qenë si Koreja e Veriut e Europës. Deti ishte bosh, nuk mund të lëvizte askush. E vetmja mënyrë për të parë botën tjetër, ishte radio ose televizioni.

Mbaj mend që kur ndiqnim Giro d’italia bënim tifo pa e ditur se ç’bëhej fjalë. Sporti italian na ka ndihmuar të jemi gjithmonë të vetëdijshëm se pas detit ka jetë, ka një tjetër jetë.

Të jem sot këtu, me të gjithë ju, për të festuar një moment si ky, duke e parë Shqipëri të përfshirë, duket si një fabul, sepse unë flas për gjërat që kam jetuar, po çfarë kam lexuar”, tha Rama.

EMISIONET