"Inteligjenca artificiale në shërbim"/ Rama: Mbi 1 miliard euro për shëndetësinë, linjë financimi nga buxheti për pacientët e Onkologjikut
Kryeministri, njëherazi edhe Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama prezantoi pikat kyçe të projekt-buxhetit 2026 për sektorin e shëndetësisë.
Në një videomesazh të publikuar në rrjetet sociale, Rama tha se “lufta me kancerin dhe shëndetësia në Projekt-Buxhetin 2026, do jenë një kapitull i ri angazhimesh në respekt të 83 mandateve që na janë besuar, si një detyrim madhor i PS-së”.
Rama thekson se buxheti i shëndetësisë 2026 është në vlerën e mbi 1 miliard eurove për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale, duke u përllogaritur si afro 4% e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar.
“Për herë të parë, hapim një linjë financimi nga Buxheti i Shtetit vetëm për këtë nevojë jetike duke futur 15 milionë euro ekstra në shërbim të pacientëve të Onkologjikut. Për herë të parë shërbimi i rikonstruksionit të gjirit për gratë dhe vajzat që kalojnë kancerin do të jepet i plotë për të gjitha dhe falas. Ndërkohë, ministrja e Shëndetësisë e shpallur së fundmi ndër 100 gratë më influente në mjekësinë botërore për çështjen e kancerit do të udhëheqë projektin kombëtar të ngritjes së Institutit Kombëtar të Tumoreve për Shqipërinë 2030. Një institucion i ri ekselence, i cili do t’i bashkohet rrjetit ndërkombëtar të instituteve që luftojnë me kancerin”, tha Kreu i Ekzekutivit.
Rama u shpreh se “4600 mjekë, infermierë dhe farmacistë si edhe 14 200 teknikë dhe laborantë do të përfitojnë një rritje të re pagash çka është një mesazh i qartë për gjeneratën e re të bluzave të bardha, se në Shqipëri qëndrohet dhe punohet me dinjitet”.
“Shqipëria 2030 do të bëhet vendi ku ikja do të jetë thjesht zgjedhje individuale, jo imponim nga pamundësia për të qëndruar dhe punuar këtu”, u shpreh Kryeministri Rama.
INTELIGJENCA ARTIFICIALE
Viti 2026 do jetë viti i përfshirjes së inteligjencës artificiale edhe në shërbimin shëndetësor në vend, në rang kombëtar.
Në një videomesazh në rrjetet sociale, Kryeministri, njëherësh Kryetari i PS-së, Edi Rama theksoi se në buxhetin e shëndetësisë 2026, inteligjenca artificiale dhe investimet në infrastrukturën shëndetësore do të kenë një fokus të veçantë.
Kreu i Ekzekutivit u ndal edhe te investimet në infrastrukturën shëndetësore në të gjithë vendin, duke përmendur spitalin e ri të Korçës, urgjencën e Durrësit, spitalet bashkiake të Matit, Tropojës etj.
“Do të vazhdojnë intensivisht investimet në modernizimin e infrastrukturës spitalore me objektivin e qartë dhe të shpallur së në Shqipërinë 2030 asnjë strukturë e shërbimit shëndetësor të mos jetë jashtë standardeve të BE-së”, pohoi Rama.
Kryeministri nënvizon se “2026 është edhe viti i hyrjes së inteligjencës artificiale në shërbimin tonë shëndetësor. Përmes një kompanie të përbashkët që shteti shqiptar po krijon me një prej ekselencave të inteligjencës artificiale në shëndetësinë evropiane, me financimet e siguruara nga fondet evropiane ne do të krijojmë ekosistemin digjital të gatshëm për inteligjencën artificiale duke hapur shtigjet e reja të diagnostikimit me imazhe, të analizave parashikuese dhe të ndërveprueshmërisë në rang kombëtar të sistemit shëndetësor digjital në përputhje me agjendën digjitale të Bashkimit Evropian”.
Rama bëri me dije se viti 2026 do të hapë edhe siparin e partneritetit strategjik të QSUT-së me spitalin prestigjioz “San Raffaele” të Milanos, një ndër më të mirët në botë duke nisur procesin e transformimit që do ta bëjë QSUT-në 2030 një qendër rajonale të shëndetit në të gjithë Ballkanin Perëndimor”.
Kryeministri Rama u shpreh në fund, se Shqipëria 2030 është në rrugën e duhur edhe në sektorin e shëndetësisë, si edhe në rritjen e cilësisë së shërbimit shëndetësor.


