Rama-komentuesit: Pritëm 12 milionë turistë, këneta e opozitës pa lidhje me realitetin

Kryeministri Edi Rama përmes një videomesazhi në rubrikën “Sy m’sy”, iu përgjigj sot një komentuesi, sipas së cilit Shqipëria nuk është vend lider, por është si Somalia.

Duke iu përgjigjur komentuesit, kryeministri Rama solli në vëmendje raportin e SIGMA-s, një organizatë prestigjioze që operon për llogari të Bashkimit Europian dhe sipas tij, “monitorimi i saj bazohet në leximin skrupuloz të të dhënave të shifrave dhe të fakteve”.

“Dje në prezantimin e raportit të monitorimit për rajonin tonë, SIGMA e ka cilësuar Shqipërinë lider rajonal për menaxhimin e financave publike, prokurimeve publike, ecurinë e administratës publike, qeverisjen digjitale e kështu me radhë.

Mirëpo ky përfundim shumë inkurajues dhe vlerësim i lartë për ecurinë dhe pozicionin aktual të vendit tonë e ka shqetësuar Albanin (komentuesi – shën. i red.), si shumë të tjerë që fatkeqësisht i mbajnë veshët nga këneta e kuak-kuak-kuakëve”, tha Rama.

Rama u shpreh se “nëse Shqipëria është Somali, si ka mundësi që vetëm rritet numri i turistëve që e vizitojnë Shqipërinë çdo vit?”.

“Një milion italianë vjet, Alban. Po gjermanët, po francezët, po holandezët, po suedezët? Apo, populli dele i Europës?!

Po pesë mijë e kusur japonezë, se nuk mund të themi se ata janë shqiptarë me pasaportë japoneze, se këtyre të tjerëve megjithëse po shkojnë 12 milionë ia kemi gjetur që janë të gjithë shqiptarë që kthehen për të sjellë bukë për familjet e tyre që po vdesin këtu në Shqipëri.

Mirë turistët, po si u çmendën edhe këto organizatat ndërkombëtare? Si u çmend edhe BE, Komisioni Europian që vlerëson lart Shqipërinë?

Si u çmendën të gjithë këta, Këshilli Europian që vijnë bëjnë samit në Shqipëri, NATO që do të vijë të bëjë samit në Shqipëri?”, vijoi Rama.

“Nuk e di si i jep drejtim ti kësaj, por unë për veten time kam një sugjerim: Ktheja kurrizin kënetës, mos i dëgjo më kuak-kuak-kuakët, bashkohu me ne, shikoje realitetin me sytë e tu dhe jo me gjyslyket e bretkosave të asaj kënete.

Shijoje një fitore në 11 maj, se edhe kjo shija e hidhur e shumë humbjeve njëra pas tjetrës krijon një zymtësi të madhe dhe ndjesi sikur gjithçka është e errët, por në fakt as ti, askush tjetër që në mënyrë të sinqertë përpiqet të gjejë një alternativë pasi me të drejtën e vet nuk do qeverinë, nuk ka asnjë faj se çka vjen nga këneta është tërësisht pa lidhje me realitetin e përditshëm”, shtoi Rama.

Kreu i qeverisë tha se Shqipëria po bëhet.

“As turistët nuk vijnë kot këtu, as ata që shkruajnë këto raporte nuk flasin kot.

Mbi të gjitha, as faktet konkrete të rritjes së përgjithshme të Shqipërisë dhe pozicionimi ynë krejt i ri në Europë nuk janë iluzion, por janë një realitet i ri shqiptar. Shqipëria po bëhet,” tha Rama.

EMISIONET