Rama dhe Manastirliu ndjekin punimet në Universitetin Politeknik të Tiranës: Ambiente moderne, përfundon në dhjetor

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu kanë inspektuar sot punimet në Universitetin Politeknik të Tiranës, ku falë investimit për rikonstruksionin e dy ndërtesave ekzistuese, ndërtimin e Muzeut të ri të Gjeologjisë, laboratorë modernë, salla leksionesh dhe studimesh do të krijohen kushte më të mira për studentët dhe pedagogët për zhvillimin akademik.

Ministrja Manastirliu tha se punimet kanë filluar prej një viti dhe pritet të mbarojnë në dhjetor të 2025-ës. “Prej një viti e pak ka filluar puna për rehabilitimin dhe ndërtimin e kampusit të Gjeologji-Minierave. Korpusi është një godinë historike dhe si e tillë punimet po ecin me ritmin e duhur edhe për arsye të problematikave të tërmetit, ka pasur nevojë për rishikim të projektit dhe përforcimeve përkatëse.

Është një investim prej gjashtë milionë euro nga buxheti i shtetit dhe kontributi që vetë Universiteti Politeknik jep. Është një projekt i realizuar nga vetë profesorët dhe kjo godinë përfundon në dhjetor të këtij viti”, tha ministrja Manastirliu.

Një prej pedagogëve të këtij universiteti, njëherësh edhe një prej hartuesve të këtij projekti, tha se bëhet fjalë për një ndërtesë të trashëguar dhe Monument i Kategorisë III.

“Na u desh kohë të rilevonim, të gjenim problemin, tërmeti krijoi probleme të jashtëzakonshme për ndërtesën nga pikëpamja strukturale. Projekti iu dedikua një ruajtjeje dhe rivlerësimi të ndërtesës. Në pjesën e pasme ka qenë një element shtesë, që prishte integritetin e ndërtesës dhe u mendua që të shkëputej nga ndërtesa historike.

Gjithë projekti përfshin nga objekti historik ku do të strehohen dy departamente të rëndësishme të universitetit, ka edhe një ndërtesë tjetër katërkatëshe që ishte totalisht e amortizuar nga tërmeti. U mendua që të mos e rrafshonim atë, se ishte në gjendje të keqe, u rikonstruktua duke ruajtur të gjithë parametrat. Sipër ka edhe një bibliotekë dhe një aula që duhej me tarracë të gjelbër, që nuk ndikon në mjedis. Krahas muzeut, do shtojmë edhe gurët e çmuar një muze të hapur që është pjesa më e bukur nëse keni parë edhe në muzetë në botë, Uashington, etj.”, u shpreh pedagogu i Universitetit Politeknik të Tiranës.

EMISIONET