PS drejt Kolegjit Zgjedhor për “9 Nëntorin”/ Komisioni Rregullator i KQZ-së nuk miraton aktet zgjedhore

Ngërçi ligjor për zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit ka futur procesin në një rrugë pa krye. Pas dështimit të Komisionit Rregullator për të miratuar aktet zgjedhore, PS pritet t’i drejtohet sot Kolegjit Zgjedhor për zhbllokimin e afateve ligjore

Procesi për organizimin e zgjedhjeve të pjesshme të 9 nëntorit në gjashtë bashki është përballur me pengesën e parë serioze ligjore.

Komisioni Rregullator në KQZ nuk arriti të miratojë aktet e nevojshme, pasi dy anëtarët e propozuar nga opozita, Muharrem Çakaj dhe Helga Vukaj, refuzuan të votojnë së bashku me mazhorancën.

Nga pesë anëtarë në total, vetëm tre dhanë votën pro, ndërsa ligji kërkon katër vota për miratimin e akteve që përcaktojnë afatet e procesit.

Sipas burimeve nga KQZ, këto akte janë thelbësore për nisjen e fushatës zgjedhore, regjistrimin e kandidatëve dhe rregullat teknike të votimit në bashkitë Tiranë, Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik. Pa miratimin e tyre, procesi rrezikon të mbetet i paralizuar.

Opozita kërkoi që Bashkia e Tiranës të trajtohej si një rast më vete, derisa Gjykata Kushtetuese të vendosë për ligjshmërinë e shkarkimit të Erion Veliajt. Megjithatë, kjo kërkesë u rrëzua nga anëtarët e propozuar nga mazhoranca, duke e thelluar më tej përplasjen politike në KQZ.

Përballë kësaj situate bllokimi, Partia Socialiste pritet t’i drejtohet sot Kolegjit Zgjedhor, me kërkesën për të zhbllokuar procesin dhe për të mundësuar vijimin e procedurave zgjedhore.

Burime nga selia rozë theksojnë se “nuk mund të lejohet që zgjedhjet e dekretuara nga Presidenti të mbeten pezull për shkak të një manovre politike të opozitës”.

Nëse Kolegji pranon kërkesën e PS-së, KQZ do të detyrohet të mblidhet sërish për të miratuar aktet brenda javës, përndryshe afatet ligjore rrezikojnë të shtyjnë edhe zhvillimin e vetë procesit zgjedhor.

EMISIONET