Projektligji “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”, Malaj takim me grupet e interesit

Ministri i Financave, Petrit Malaj zhvilloi sot takime me grupet e interesit për konsultimin publik të projektligjit “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”.
Një tjetër fokus në këtë takim, ishte edhe projektvendimi “Për miratimin e metodologjisë, rregullave dhe procedurave për përcaktimin e vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme “Ndërtesa”, si dhe llogaritjen e taksës mbi ndërtesën dhe pagesën e saj”.
Malaj tha se me Shoqatën e Ndërtuesve të Shqipërisë, Dhomat e Tregtisë dhe përfaqësues të kompanive që operojnë në tregun e pasurive të paluajtshme theksoi rëndësinë e bashkëpunimit për të garantuar një zbatim sa më eficient të këtyre nismave.
Malaj u shpreh se “qëllimi ynë është të garantojmë zhvillimin e qëndrueshëm të tregut, si dhe një përfitim sa më të lartë nga procesi i rivlerësimit, për qytetarët dhe bizneset”.
Qeveria ka propozuar projektligjin “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”, i cili parashikon një periudhë të re për rivlerësimin e pronave nga 1 janari deri më 30 shtator 2026, me tatim të reduktuar 5% mbi vlerën e rivlerësuar.
Përmes këtij procesi, qytetarët dhe subjektet juridike do të kenë mundësinë të përshtatin vlerën e pronave të tyre me çmimet aktuale të tregut, duke shmangur kështu ndryshimet e mëdha midis vlerës së regjistruar dhe asaj reale.

