Projektbuxheti 2026/ Kreu i KLGJ: Gjykatat e nivelit Administrativ kanë nevojë urgjente për godinë të re
Kreu i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi ka qenë i pranishëm në seancën dëgjimore në Komisionin e Ligjeve mbi buxhetin e institucionit që ai drejton.
Në prezantimin e bërë, Rusi tha se janë parashikuar 900 milionë lekë për shpenzime si dhe ka një rritje të tavaneve.
Më tej Rusi u ndal te infrastruktura e gjyqësorit, ku përsëriti nevojën për një godinë të re të gjykatave dhe prokurorive përkatëse të Tiranës.
Kreu i KLGj deklaroi se në projektbuxhetin e ri, investimet zënë vetëm 15% të totalit.
Më tej, Rusi foli dhe për kërkesën e gjykatave pr punonjës të rinj, ku tha se janë bërë kërkesa për 680 punonjës, KLGj projektoi kërkesën për 219 punonjës, për t’u miratuar nga Kuvendi 100 të tillë.
“900 milionë lekë janë për shpenzime. Kemi një rritje të tavaneve. Kemi bërë kërkesë për të na u gjetur një truall që të ndërtojmë një godinë dy gjykatat e Tiranës, Shkallën e Parë dhe Juridiksionin e Përgjithshëm dhe prokuroritë përkatëse.
Investimet dhe në projeksionin e buxhetit të vitit 2026, zënë 15% të buxhetimit. Projekti më thelbësor është ndërtimi i një sistemi më të integruar të çështjeve gjyqësore. Kemi projektin me krijimin e një dispeçeri për të mbledhur dhe shpërndarë të dhënat jo vetëm për gjykatat, por dhe më tej.
Gjykatat kanë pasur kërkesa për 680 nëpunës për t’u shtuar. Nga ana e KLGJ u projektua një kërkesë për 219 punonjës. Janë miratuar vetëm 100 punonjës. Duhet përmirësim i infrastrukturës. 50 milionë lekë të reja për blerjen e pajisjeve të reja.
Vitin tjetër gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm do të jenë në 100% të kapaciteteve. Gjykatat e nivelit Administrativ do të ketë nevojë urjgente për godinë të re. Infrastruktura e godinave nuk është vetëm çështje e KLGJ, është çështje e të gjithëve”, deklaroi Rusi.


