“Presidenti, fushatë për PS-në”, Hysaj: Kur Baromi zgjohet dhe e gjen veten duke bërë fushatë për padronin e tij D'rama

Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike, Jola Hysaj përmes një postimi në rrjetet sociale akuzon Presidentin e Republikës Bajram Begaj se ka nisur një fushatë në favor të qeverisë në gjithë vendin.
“Kur Baromi zgjohet e gjen veten duke bërë fushat për D'Ramën!
Nuk është hera e parë në të cilën shkelet Kushtetuta haptazi, nuk është hera e parë në të cilën administrata bën fushatë për KM, por a është e ligjshme që Ambasadorët dhe Presidenti i Republikës ta bëjë këtë?
Dëshpërimi për votën e diasporës është i madh apo jo KM? Por a e menduat mirë kur i çuat shqiptarët në një dëshpërim aq të madh sa të gjenin si të vetmen rrugë ikjen nga Shqipëria?
Ah po tani shkon e lëpihesh për të marrë votat, e ata që teorikisht duhet të sigurojnë mbarëvajtjen dhe sigurinë e zgjedhjeve dalin e bëjnë fushatë haptazi kundra ligjit për lartmadhninë?
Sa për Baromin kam veç një pyetje, pasi i more fytyrën gjithë Shqiptarisë duke iu lëpirë Erdoganit se nuk të dilnin 600m² Presidencë, të cilës ti as historikun me siguri nuk ia di, tani si "rregullator i paanshëm" me çfarë fytyre bën fushatë për padronin tënd D'rama? Apo e ke kusht nga punëdhënësi yt dhe ti të gjesh përveç farefisit dhe ca vota në diasporë se ndryshe humb vendin e punës?”, shprehet Jola Hysaj.
Kjo cështje ishte edhe në qendër të debateve në seancën plenare ku u referuan vizitat e presidentit Bajram Begaj, në të cilët ai po shfaqet si zyrtar i pushtetit socialist.
Fillimisht ishte deputeti Saimir Korreshi që e akuzoi se po merret me fushatën zgjedhore.
“Si kryetare Kuvendi pse nuk e mblodhe byronë, e ke detyrim, jo t’i lësh të rrjedhin si shoku President, që vjen e bën fushatë në Lushnjë si me qenë kryetar bashkie, vjen me def e kitarë,” tha Korreshi.
Më pas ishte kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi që hodhi akuza të rënda ndaj Begajt.
“Presidenti i Republikës nuk gëzon asnjë respekt nga opozita sa kohë sillet si ushtar i rëndomtë i Edi Ramës.
Presidenti që qëndrojë larg fushatës zgjedhore dhe të mos shitet për dy leje ndërtimi për dy vila për djemtë e tij,” tha Bardhi.



