Presidenca akuzon Gjykatën Kushtetuese për cënim të Kushtetutës në rastin “Veliaj”

Institucioni i Presidentit të Republikës ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese një arsyetim të detajuar prej 14 faqesh lidhur me çështjen e njohur si “rasti Veliaj”, duke pretenduar se vetë Gjykata Kushtetuese ka cenuar Kushtetutën në mënyrën se si e ka trajtuar këtë proces.

Dokumenti, që disponohet nga Ora News, përmban një analizë juridike të hollësishme, përmes së cilës Presidenca argumenton se procedimi ndaj dekretit presidencial ka qenë i parregullt dhe i bazuar në interpretime të gabuara ligjore.

Në parashtrimet e saj, Presidenca shpjegon se Gjykata Kushtetuese ka tejkaluar kompetencat e saj kushtetuese duke ndërhyrë në një akt që është ekskluzivisht në kompetencën e Presidentit të Republikës — dekretimi i datës së zgjedhjeve.

Në dokument thuhet se, “në vlerësimin tonë si palë e interesuar, vetëm një procedim i tillë mund të rikthejë kushtetutshmërinë e këtij procesi ankimor, i cenuar në mënyrë arbitrare nga vetë Gjykata Kushtetuese”.

Më tej, Presidenca kërkon nga Gjykata që në fillim të seancës së datës 31 tetor 2025 të shpallë moskompetencën për shqyrtimin e dekretit nr. 350, datë 1 tetor 2025, si dhe të vendosë heqjen e pezullimit të këtij dekreti, që lidhet me zhvillimin e zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës.

Në përfundim të seancës, institucioni i Presidentit kërkon që kërkesa e paraqitur nga kryetari i pezulluar i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, të rrëzohet si e pabazuar në nenin 115 të Kushtetutës.

Presidenca në argumentet ligjore kërkon që Gjykata Kushtetuese:
1. Të deklarojë në fillim të seancës së shqyrtimit të datës 31.10.2025 moskompetencën lidhur me dekretin nr. 350, datë 1.10.2025;
2. Të vendosë në fillim të seancës së shqyrtimit të datës 31.10.2025 heqjen e pezullimit të dekretit nr. 350, datë 1.10.2025;
3. Të vendosë në përfundim të seancës rrëzimin e kërkesës së Kryetarit të shkarkuar të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, si të pabazuar në nenin 115 të Kushtetutës;
4. Për shkak të pezullimit dhe pamundësisë për zhvillimin e zgjedhjeve për Bashkinë Tiranë në datën e dekretuar nga Presidenti i Republikës, të urdhërojë në përfundim të seancës KQZ-në që të rifillojë përgatitjet për zgjedhjet për këtë bashki në datën që do të përcaktojë Gjykata Kushtetuese, datë e cila nuk duhet të jetë më e hershme se 30 ditë nga hyrja në fuqi e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

EMISIONET