“Praktikë kriminale”, Berisha: Kartolina gjobash nga Rama për mijëra emigrantët e kthyer për festa

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i ka bërë thirrje Policisë së Shtetit, t’i japë fund gjobitjes masive të qytetarëve shqiptarë.
Përmes ironisë, Berisha i cilësoi këto gjoba si “kartolinat” e Kryeministrit Edi Rama për dhjetëra mijëra qytetarë për festat e fundvitit.
Duke marrë shkas nga denoncimi i një qytetari nga Gjirokastra për këtë dhunë, sidomos ndaj emigrantëve që po kthehen në atdhe për festa, Berisha kërkoi që ndalohej menjëherë kjo praktikë kriminale.
“Stop gjobitjes masive të qytetarëve. Urdhri i turpshëm për gjoba masive ndaj qytetarëve në fund të vitit. 3000 qytetarë gjobiten vetëm në Gjirokastër në dy javët e fundit.
Të dashur miq, gjoba absurde dhe anti-ligjore janë kartolina e Edi Ramës për dhjetëra mijëra qytetarë, veçanërisht për emigrantë që vijnë të kalojnë festat e fundvitit në vendin e tyre.
Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë dhunë masive me gjoba të paligjshme ndaj qytetarëve shqiptarë dhe kërkojmë ndalimin e menjëhershëm të kësaj praktike kriminale”, deklaron kreu i PD-së, Sali Berisha në vijim të reagimit të tij .

