"Po testohet lidershipi"/ Beqiri: Thelbësore është të dimë nëse drejtësia ka hyrë në fazën ku është e pandalshme

I ftuar në emisionin “Drejt”, avokati Evarist Beqiri e cilësoi ndryshimin në kabinetin qeveritar si një moment prove për kryeministrin dhe mazhorancën, në raport me drejtësinë dhe funksionimin e shtetit ligjor.

Sipas tij, çështja shkon përtej një emri të përveçëm dhe prek vetë parimet mbi të cilat funksionon sistemi demokratik.

“Ky është një moment testi lidershipi që historia do ta gjykojë nesër. Nuk kemi të bëjmë thjesht me një individ, por me parime të rëndësishme. Zgjedhja është e qartë: do mbrojmë individin apo do mbrojmë parimet dhe sistemin demokratik?”- tha Beqiri.

Beqiri ngriti pyetjen nëse drejtësisë do t’i lihet hapësira për të vepruar e pavarur dhe nëse vendi po shkon drejt një republike ku të gjithë janë të barabartë para ligjit.

Ai e përshkroi reformën në drejtësi si shtyllën kryesore të mazhorancës në vitet e fundit, tashmë përballë një prove konkrete.

Në lidhje me debatin publik dhe gjuhën e përdorur ndaj sistemit, ai vlerësoi se nuk pati sulm ndaj institucioneve, por kritika dhe tension, të cilat i konsideroi pjesë të debatit politik.

“Çështja sot nuk është vetëm a është drejtësia mjaftueshëm e fortë. Pyetja është tjetër: a kemi hyrë në fazën ku drejtësia po bëhet e pandalshme në Shqipëri? Kjo është thelbësorja.”- shtoi ai.

Sipas Beqirit, zhvillimet e fundit do të tregojnë nëse reforma në drejtësi do të konsolidohet si mekanizëm i barazisë para ligjit apo do të mbetet e brishtë përballë presioneve politike.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "DREJT":

 

EMISIONET