Rama takim me fermerët në Berat: Kemi një instrument të ri për bujqësinë

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama po zhvillon një takim në Berat. Në fokus të fjalës së tij është programi “Berat - Shqipëria 2030 për fermerët, bujqësinë, zhvillimin rural”.

Rama u shpreh se qeveria do të mbështesë këdo që ka nevojë me instrumentin e ri financiar, linjën  e financimit prej 250 milionë eurosh nga Banka e Shqipërisë,  që lehtëson aksesin në kredi për sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural.

Rama theksoi edhe rëndësinë e agro-turizmit dhe bujqësisë si shtylla të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm.

“Jemi duke nxitur mbështetje financiare në funksion të bashkimit dhe rritjes së ndërveprimit mes fermerëve dhe mes pikave të grumbullimit dhe përpunimit. Sot më vjen mirë që kemi në instrument të ri financiar, 250 mln euro, linjë financimi inovative e BSH, e cila iu mundëson të gjithë sipërmarrësve në fshat apo atyre që duan të nisin sipërmarrje, qoftë në prodhim, agropërpunim, apo në agroturizëm që të marrin kredi me 70% kolateral të garantuar nga shteti dhe me një normë interesi më pak se 3%.

Ne nëpërmjet AZHBR e shoqërojmë këtë proces, mbështesim këto që ka nevojë për asistencë, kemi nënshkruar marrëveshje për bankat, të cilat kanë filluar edhe fushata informuese sepse është qeveria që garanton.  Të ngremë më tutje nivelin e prodhimit, përpunimit dhe nivelit të eksporteve. Kemi objektiv të shkojmë 1 miliardë eksporte.”, u shpreh Rama.

Rama tha se hyrja në BE është sikur të “vësh” mushkëri të reja. Këtë mundësi historike, tha Rama, nuk duhet humbur për ‘mustaqet e Çelos’.

“Na duhet të kapim dhe të mos lëshojmë këtë shans për mustaqet e Çelos. Ti bëjmë yzmetin këtij shansi dhe të kemi frymëmarrje tjetër. Është si të vësh mushkëri të reja dhe të vraposh me një shpejtësi më të lartë. Nuk mundet dot t’i lësh pa i vënë se ke disa politikëra në kokë. Kjo është kombëtare.

Me këtë vijnë edhe gjëra të tjera, që janë programe, ku ne sot s’mund të kemi akses se nuk jemi pjesë e asaj familjeje. Ata na mbështesin si fqinj, por kur të jemi brenda, mbështetemi si anëtarë të familjes. Prandaj ata që janë më të mëdhenj kontribuojnë në arkën e familjes më shumë sesa marrin nga ajo arkë.

Gjermania, Italia e Franca japin më shumë sesa marrin, jo se e bëjnë për bamirësi. Kurse arka e asaj familjeje ka kontribuuesit dhe përfituesit, dhe ne bashkë me të tjerët që janë më të vegjël, do të bëhemi përfitues.

Nuk e imagjinoj dot që njeriu të ketë logjikë dhe pak përqendrim për të dëgjuar se si qëndron kjo punë dhe të thotë s’më intereson kjo. Edhe këto fiksimet si fiksimi i atij që kanë njerëzit, nevoja, edhe këto adresohen shumë më shpejt dhe më mirë nëse kemi buxhet të shtuar.”, u shpreh Rama.

EMISIONET