PL: UKT me tarifa dhe kosto të karta, por uji mungon në Tiranë
Sekretarja për Mardhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Arla Merja u shpreh sot në një deklaratë për mediet se, “pavarësisht se kryeqyteti vijon të përballet me mungesën e furnizimit 24 orë me ujë dhe problematika serioze në menaxhimin e ujërave të zeza, Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë (UKT) ruan norma të larta fitimi”.
Sipas saj, “pas reformës se sistemit te ujit të vitit 2015, e cila synonte rritjen e kapaciteteve të bashkive për të menaxhuar sistemet e ujësjellës-kanalizimeve, realiteti tregoi një tjetër pamje, në vend të përmirësimit të shërbimeve, shumë bashki u kthyen në struktura të mbushura me punësime klienteliste dhe patronazhistë”.
“Shqipëria, në fakt, ka kapacitete të mjaftueshme për prodhimin e ujit të pijshëm, të cilat, nëse menaxhohen mirë, mund të mbulojnë kostot operacionale pa qenë nevoja për rritje të vazhdueshme të çmimit të ujit për qytetarët”, theksoi Merja.
Sipas saj, “ajo që mungon nuk janë burimet natyrore apo potenciali teknik, por planifikimi i mirë, investimet e programuara dhe një menaxhim pa korrupsion”.
Sot, shtoi Merja, “kostoja e rritur e shërbimit dhe tarifat e larta nuk janë pasojë e mungesës së ujit, por rrjedhojë direkte e dështimit të reformës dhe keqmenaxhimit institucional.
Qytetarët po paguajnë më shumë, jo për cilësi më të mirë, por për të mbuluar pasojat e një reforme që nuk funksionoi siç u premtua”.
Merja nënvizoi se, “pas vitit 2017, kur u miratua rritja me 45% e tarifave të ujit, bilanci financiar i UKT mbeti pozitiv. Megjithatë, cilësia e shërbimit për qytetarët nuk ka pasur përmirësimin e premtuar”.
“Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave mbi performancën e ndërmarrjeve shtetërore, në vitin 2024 UKT realizoi 4.9 miliardë lekë të ardhura, me një rënie prej 2% krahasuar me 2023.
Fitimi neto për këtë vit arriti në 990 milionë lekë (rreth 10 milionë euro), që përbën 20% të të ardhurave totale.
Edhe për tremujorin e parë të vitit 2025, UKT shënoi fitim të konsiderueshëm, 195 milionë lekë, krahasuar me vetëm 71 milionë lekë në të njëjtën periudhë të vitit 2024. Këto rezultate vijnë jo nga rritja e të ardhurave, por nga ulja e shpenzimeve operative.
Norma e fitimit për vitin 2024 ishte 20%, ndërsa në tremujorin e parë të 2025-ës ajo shënoi 18%, mbetur në nivele të larta për një ndërmarrje publike që ofron shërbime bazë”, tha Merja.
Sipas saj, në vendet e Bashkimit Europian, ndërmarrje të ngjashme publike në sektorët e ujit, energjisë, mbetjeve dhe transportit publik operojnë me norma fitimi nga 3% deri në 10%, pasi qëllimi i tyre parësor është ofrimi i shërbimeve të qëndrueshme, të sigurta dhe me çmime të përballueshme për qytetarët, jo përfitimi financiar.
“Normat e larta të fitimit të UKT, në mungesë të investimeve domethënëse dhe përmirësimeve reale në cilësinë e shërbimit, ngrenë pikëpyetje serioze.
Këto tregues nënvizojnë më shumë barrën që mbajnë konsumatorët që paguajnë rregullisht, sesa efikasitetin e ndërmarrjes”, tha Merja.
Përballë kësaj panorame, shtoi Merja, “është e qartë se përparësitë duhet të jenë investimet në infrastrukturë dhe përmirësimi i shërbimit për qytetarët, e jo ruajtja e normave të larta të fitimit në kurriz të cilësisë së jetesës”.

