Petro Gjikuria nis fushatën në Himarë: Do të vë në zbatim programin e Fredi Belerit
Kandidati për kryetarë bashkie në Himarë nga radhët e opozitës së bashkuar, Petro Gjikuria ka nisur fushatën në Himarë. Ndalesa e parë, ku po zhvillon prezantimin me banorët e zonës është Himara fshat. Të shumtë personat që po marrin pjesë në takim.
Krahas tyre prezent kreu i PBDNJ, Vangjel Dule, sekretar i përgjithshëm i Partisë se Lirisë Tedi Blushi, kryetarja e Partisë Demokratike Himarë, Afroviti Dhimojani, si dhe sekretari për çështjet ligjore i Partisë Demokratike, Ivi Kaso.
Gjikuria tha se do të vërë në zbatim programin e Fredi Belerit.
"Çfarë ka bërë Goro si kryetar bashkie, të gjithë këta e kanë lënë bashkinë e Himarës në gjendjen që është sot. Solli Tavon me katapultim. Bashkia nuk ka nevojë për një politikan, por një person që do të punojë për të zgjidhur problemet. Thonë edhe se Fredi nuk është me mua, është gënjeshtër shumë e madhe, prania e Petro Belerit dëshmon të kundërtën. Do të vë në zbatim programin e Fredi Belerit", tha ai.
Tedi Blushi në fjalën e tij, pati një mesazh për kryeministrin Edi Rama.
“Nga ky shesh i bëj thirrje Edi Rama: Hiqi kthetrat e zeza nga Himara! Mos e provoko nervin dhe karakterin e himarjotëve! Mos guxo t’i përçash se fundin do ta kesh shumë të keq”, tha Blushi.

