Peleshi: Do të riaktivizojmë industrinë ushtarake, interes nga investitorë vendas e të huaj

Shqipëria synon të riaktivizojë përmes investimeve zhvillimin e industrive të reja ushtarake në plotësim edhe të kërkesave në rritje të tregut botëror. Këtë e konfirmoi sot ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, në një prononcim për medie, pas mbledhjes së qeverisë.

Duke folur mbi industrinë ushtarake, Peleshi u shpreh se për fat të keq ka një kërkesë të madhe në tregun botëror për municione e armatim.

Shqipëria, sipas tij, “është nga vendet e pakta në rajon dhe Europë që nuk e ka të zhvilluar, por e ka të fjetur industrinë e vet të dikurshme ushtarake”.

“Natyrisht ka nevojë për investime, për investitorë, nuk mund të zhvillohet kjo sipërmarrje private nga shteti, apo nga ish-ndërmarrjet shtetërore. Ndërmarrjet shtetërore tani ne i kemi në proces transformimi në shoqëri aksionere, të paktën në sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes”, tha Peleshi.

Ministri theksoi se “jemi të hapur dhe në pritje të ofertave dhe interesimeve që nuk mungojnë nga aktorë të ndryshëm ndërkombëtarë por sipërmarrje vendase”.

“Synojmë ta riaktivizojmë përmes investimeve dhe ta vëmë në punë sektorin, për të zhvilluar industri të reja ushtarake në plotësim edhe të kërkesave në rritje të tregut, për fat të keq për shkak të konflikteve që sa vijnë edhe shtohen”, tha ai.

Ministri u shpreh se aktualisht kemi Poliçanin, uzinën e lëndëve plasëse të Mjekësit dhe kombinatin e Gramshit.

“Poliçani s’ka fare aktivitet, dy tjerat kanë pak aktivitet, që lidhet me demontimin dhe  sigurojnë disa të ardhura për të mbajtur veten e vet. Nuk kanë detyrime si në rastin e Poliçanit”, tha Peleshi.

Ministri konfirmoi se ka pasur veçanërisht interes për industrinë tonë ushtarake nga  investitorë të huaj që kanë parë potencialin e tyre.

“Vitin e kaluar ne synuam ta qasim në mënyrë më profesionale duke bërë një vlerësim me Agjencinë e Prokurimeve të NATO-s me qendër në Luksemburg. Bëmë një raport vlerësimi që të dimë më mirë se sa investime do të duhen dhe si janë projeksionet e tregut. Tani jemi më të qartë për të investuar. Kryeministri e ka thënë shumë qartë. Ne duam të ndryshojmë qasjen nga ‘Shqipëria 1 euro’, te Shqipëria partnere në çdo investim të përbashkët qoftë me investitorë të huaj, apo vendas. Këtë u prezantojmë edhe investitorëve potencialë, që tani janë në fazën e shprehjes së interesit dhe inspektimit të këtyre industrive. Ka disa të tillë”, tha Peleshi.

EMISIONET