RAPORTI I PLOTË I PD/ Zbardhen argumentet e SPAK, kush janë të “fortët” që bëjnë presion! Opozita: ARRSH vonoi dërgimin e provave! Nevojitet arresti, sepse ...

Zbardhet raporti i plotë i Partisë Demokratike në Këshillin e Mandateve, ku kërkon heqjen e imunitetit për ish-zv/kryeministren, Belinda Balluku, në përputhje me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme.

Sipas raportit të paraqitur nga opozita, SPAK ka konfirmuar elementë që lidhen me kërcënimin e dëshmitarëve dhe prishjen e provave, ndërsa theksohet se ARRSH ka vonuar dërgimin e dokumentacionit të kërkuar nga organi i akuzës.

Në dokument thuhet se ekziston rrezik për cenimin e hetimeve, ndaj sipas kërkesës së SPAK nevojitet masa e arrestit për të garantuar integritetin e procesit hetimor.

Prokuroria e Posaçme dyshon për abuzime me tendera në vlera prej miliona eurosh, ndërsa opozita thekson se heqja e imunitetit është një hap i domosdoshëm për t’i hapur rrugë veprimeve të mëtejshme procedurale.

Po sipas raportit, dëshmitarja është shprehur para prokurorëve të SPAK se është tunduar me anë të korrupsionit që të ndryshojë deklarimet e saj dhe për pasojë është ndjerë e frikësuar.

“Gjatë mbledhjes së Këshillit të datës 23.02.2026, prokurorët sqaruan më tej këtë rrethanë, duke theksuar se deputetja Belinda Balluku është përpjekur të ushtrojë presion mbi dëshmitarët, përmes dy formave: (1) Përmes “të fortëve”, për të cilët prokuroria deklaroi se po verifikohet nëse janë të përfshirë në veprimtari të krimit të organizuar, verifikim që mbulohet nga sekreti hetimor; (2) përmes zyrtarëve publikë, pjesë e kabinetit të ministres, të cilët, ose kanë shantazhuar për shkarkime nga puna ndaj familjarëve, ose kanë ofruar para në këmbim të ndryshimit të dëshmive dhe avokatit. Konkretisht, në mbledhjen e datës 23.02.2026 të Këshillit, prokurorët u shprehën si më poshtë:

“Prokurori Dritan Prenci – Te relacioni dhe provat mbështetëse të relacionit ne kemi paraqitur procesverbalin e transkriptimit të përgjimit të bisedave, të lejuara me vendim të gjykatës, të datës 20.11.2025, në orën 12:23:35. Ne e kemi paraqitur si provë. Në përmbajtje të këtij transkriptimi rezultojnë të dhëna për intimidimin e personave….Ka përmbajtje, që zonja është e frikësuar, përmend edhe emrat se nga kush është frikësuar, emër zyrtari, por edhe persona të fortë në rang grupesh të tjera. Ajo përmend tundimin nëpërmjet korrupsionit që të ndryshojë thëniet apo edhe të zëvendësojë mbrojtësin e saj me një mbrojtës të pëlqyer nga personat që i vetofrohen. Kjo është shumë e qartë në përmbajtje.”17.

“Prokurori Dritan Prenci – Atëherë, në përmbajtje të asaj cfarë ka prodhuar ky transkriptim i besedave të përgjuara, bëhet fjalë për intimidim nga persona jozyrtarë. Aty përmendet “të fortë”, e përmend vetë zonja, pra persona jozyrtarë. Pastaj, nga personat zyrtarë bëhetfjalë për persona nga kabineti i ministrit, është e shkruar. “18.

“Prokurori Dritan Prenci – Ne nuk mund të deklarojmë më shumë, sepse, sic e thashë,jua them me përgjegjësi të plotë që hetimet knë vijuar në maksimum me intensitet edhe në drejtim të sqarimit të secilës rrethanë apo të dhëna të krijuara, qoftë edhe në drejtim të kësaj që po diskutojmë. Pra, për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor, të asaj cfarë ne kemi vijuar pas momentit të paraqitjes së kërkesës përpara jush, ne nuk mund të ekspozojmë pjesë të hetimit, pasi hetimi është akoma i fshehtë, nuk kemi veprime të hapura”, thuhet ndër të tjera në raport.

Çështja pritet të shqyrtohet në Kuvend, ku do të vendoset mbi kërkesën për heqjen e imunitetit dhe autorizimin e arrestit.

Nga ana tjetër, PS ka deklaruar se do të ketë një raport të saj për çështjen e Ballukut, ndërsa mbetet për t’u parë qëndrimi i mazhorancës në seancën e Kuvendit.

Kryeministri Edi Rama u shpreh 2 ditë më parë se do të shprehej për kërkesën e SPAK të cilët kërkojnë arrestimin e Ballukut, pasi të ketë lexuar raportin e Këshillit të Mandateve.

RAPORTI I PLOTË I PD/ Zbardhen argumentet e SPAK, kush janë të

EMISIONET