Mblidhet Grupi i PS, Çuçi: Marrëveshja Rama-Meloni dhe Amnistia Penale të enjten për votim në Kuvend

Partia Socialiste mbledh këtë të hënë Grupin Parlamentar. Mësohet se takimi i radhës i ligjvënësve socialistë do të mbahej në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, ku dhe u diskutuan një sërë çështjesh, që nga aktivizimi në komisionet parlamentare, apo dhe reforma zgjedhore.

Në fjalën drejtuar deputetëve të mazhorancës, kryetari i grupit Bledi Çuçi tha se në seancën e ditës së enjtes do të kalojnë për votim dy marrëveshje dhe dy projektligje.

"Së pari është marrëveshja në lidhje me programin e shkëmbimit të studimeve universitare në Evropën Qendrore dhe së dyti protokolli me Italinë për emigrantët", tha ai.

Çuçi tha se pritet zbardhja e plotë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese këto ditë të para të javës, që i hap më pas rrugë për çuarjen në seancë.

Dy projektligje të rëndësishme janë gjithashtu amnistia penale dhe ai për Zonat e Mbrojtura të cilat pritet të miratohen në seancën e kësaj jave.

"Projektligjin për Amnistinë Penale, Komisioni për Çështjet Ligjore parashikon për ta kaluar të martën. Do të rakordojmë dhe me opozitën për të bërë 84 votat e nevojshne për miratim", deklaroi Çuçi.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS kërkoi gjithashtu prezencë të deputetëve në seancë në mënyrë që projektligjet dhe marrëveshjet e parashikuara në rendin e ditës të miratohen.

EMISIONET