Operacioni i SPAK, Balla reagon nga Spanja: Kjo është një përgjigje për ata që thonë “Po kokat? Po kokat?”
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla nga Madridi ka komentuar operacionin e SPAK në bashkëpunim me policinë. Balla vlerësoi operacionin dhe tha se ka ardhur koha për t'i dhënë fund pandëshkueshmërisë.
“Përgëzoj SPAK-un, dhe prokurorët që kanë drejtuar hetimin. Falënderoj Policinë e Shtetit, është një operacion që ndërlidhet, me personazhe të krimit në shqipëri që janë aktiv jo vetëm në Shqipëri, por edhe në disa vende europiane përfshirë edhe Spanjën.
Operacione te tilla të vijojnë të konsolidohet për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Kjo është një përgjigje për ata që thonë po kokat po kokat pse nuk goditen”, shprehet Balla.
TAKIMET NE SPANJE

Gjatë vizitës që po zhvillon në Spanjë, ministri i Brendshëm Taulant Balla është interesuar për organizimin dhe praktikat e punës të policisë rrugore.
Gjatë një bisede me patrullën e Policisë Rrugore të Madridit, ministri Balla u informua në lidhje me menaxhimin e trafikut si dhe u njoh me pajisjet që ata përdorin për monitorimin e trafikut, kamerat e trupit, mjetet elektrike, pajisjet për kontrollin e pijeve alkoolike etj.
Ekspertët i shpjeguan ministrit dhe delegacionit shqiptar që përbëhej nga zyrtarë të lartë të Policisë, se për menaxhimin e trafikut rrugor në Madrid, Policia Kombëtare spanjolle bashkëpunon me Policinë Bashkiake, sidomos në rast aktivitetesh të mëdha.
Sa i përket sistemeve dhe pajisjeve që përdoren për monitorimin e trafikut, përkatësisht identifikimin e shkeljeve të ndryshme dhe sistemin e gjobave, punonjësit e Policisë rrugore spanjolle thanë se ato janë të lidhura online dhe të aksesueshme në kohë reale.

“Kamerat e trupit regjistrojnë automatikisht kur ka një ngjarje dhe janë të lidhura online në Icloud. Çdo punonjës ka kamerën e vetë, me të cilën regjistron njëkohësisht ngjarjen, nga kënde të ndryshme”, shpjeguan policët spanjollë.
Ministri Balla u interesua edhe për pajisjet dhe metodat e kontrollit për drejtuesit e mjeteve që konsumojnë pije alkoolike apo substanca të ndaluara dhe me këtë rast atij iu demonstrua edhe funksionimi i pajisjes.
Ministri Balla po zhvillon një vizitë zyrtare në Spanjë, ku do takohet me homologun e tij, ministrin e Brendshëm të Spanjës Fernando Grande-Marlaska dhe drejtues të lartë të Policisë spanjolle.




