“Nuk i nënshtrohemi më një horri”/ Opozita premton “luftë” - Kuvendi, si “shesh beteje”
Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në seancë plenare. Sipas rendit të ditës së miratuar në Konferencën e Kryetarëve, Kuvendi pritet të nisë punimet me një interpelancë me ministren e Kulturës, Elva Margariti, të kërkuar nga deputetja Ina Zhupa.
Më pas do të diskutohen tre projektligje:
Projektligji i propozuar nga Ministria e Brendshme për disa ndryshime në ligjin për “Shërbimin privat të sigurisë fizike”;
Projektligji për disa ndryshime në ligjin për “Avokaturën e Shtetit”;
Projektligji për disa ndryshime në ligjin për “Akreditimin e Organeve të vlerësimit të konformitetit në Republikën e Shqipërisë”.
Veç projektligjeve, Kuvendi pritet të shqyrtojë dhe një sërë projektvendimesh.
“Premtimi” i Berishës
Lidhur me punimet e sotme parlamentare, kreu i Rithemelimit, Sali Berisha ishte pasditen e djeshme në një takim me strukturat drejtuese të partisë në Tiranë, ku e vuri theksin në mbledhje tek aksioni opozitar përballë qeverisë dhe kryetarit të saj Edi Rama.
Gjatë mbledhjes së ditës së djeshme të deputetëve të opozitës u vendos që aksioni të nisi nga dita e sotme në parlament.
Berisha foli me tone të ashpra duke thënë se nuk do të nënshtrohemi më ndaj një krimineli dhe horri si Edi Rama.
Gjithashtu Berisha u ndal edhe tek komentet e Ramës ndaj Kosovës duke kritikuar kryeministrin për qëndrimet e tij që janë në përputhje me Beogradin.
Sali Berisha: “Ditën e enjte nisim qëndresën në parlament. Nuk ka më nënshtrime dhe përçmim nga një horr, një kriminel, nga një njeri që nuk ka asnjë parim. Që është i gatshëm të shesë gjithçka për pushtetin e tij. Nisim betejën në parlament.
Për të mos e ndalur më, deri në rivendosjen e të drejtës së votës së lirë të shqiptarëve.
Nuk është betejë e lehtë. Por është absolutisht e fitueshme. Deputetët në mbledhjen e tyre dje në të gjitha diskutimet kanë qenë të mendimit që beteja të nis në parlament. Nuk shkohet më kështu.”