Noka: Mësuesi Alban Bejleri të shpallet "Dëshmor i Atdheut", ra në krye të detyrës

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka me anë të një reagimi kërkon që mësuesit të ndjerë Alban Bejleri t'i jepet statusi i Dëshmorit të Atdheut. Ai ra në krye të detyrës.
Reagimi i Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Flamur Noka:
Mësuesi ra në krye të detyrës. T'i jepet statusi i "Dëshmorit të Atdheut".
Arsimi shqiptar humbi një hero, një profesionist të sakrificës. Familja Bejleri humbi njeriun e dashur. 2 nxënësit e fshatit Marjan në bashkinë #Maliq, humbën mësuesin e tyre të përkushtuar, i cili përshkonte çdo ditë 14 kilometra në këmbë, për të vazhduar punën në profesionin e tij të nderuar.
Miq e të afërm thanë se Albani nuk ankohej, ndonëse e kishin internuar larg, për shkak të bindjeve të tij të djathta. Kjo ishte "njolla" e vetme në biografinë e tij të pastër qelibar. E neveris dhe e dënoj me forcë këtë ndarje që i bëjnë mësuesëve.
Mirënjohje me gjithë shpirt për sakrificën e tij në shërbim të arsimit! Atë që shteti nuk e bëri në të gjallë, ta ndjejë detyrim për ta vlerësuar pas vdekjes, duke i dhënë statusin e "Dëshmorit të Atdheut".
Ngushëllime familjes, miqve dhe shumë kolegëve të tij që mbajnë gjallë arsimin në zonat rurale! I gjettë hapur dyert e parajsës!

