Nga ekspertë në ushtarë partie/ Çela: Si u degraduan listat e kandidatëve në politikën shqiptare

Partitë politike në Shqipëri kanë ndryshuar rrënjësisht kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë, duke kaluar nga rekrutimi i profesionistëve me potencial në preferencën për individë besnikë, të cilësuar si “ushtarë” të gatshëm për të zbatuar pa kundërshti urdhrat e partisë.

Për të folur më tepër rreth kësaj teme, i ftuar në emisionin "Drejt", në "Ora News", ishte juristi dhe pedagogu Ervis Çela.

"Këtë ne e kemi parë dhe në fushatat elektorale, edhe në në fushatën e fundit, bazuar edhe në sistemin zgjedhor në fakt, në formulën, tek pjesa e listës së hapur apo listës së mbyllur.

Ne pamë që në lista të hapur, partitë e mëdha, ose mazhoranca në në rastin konkret, vendosi ata njerëz të cilët i mendon elektoral, pra ata njerëz të cilët mund të thithin vota dhe mund të bëjnë vota për për pjesën e partisë, ndërkohë që në listën e mbyllur u mundua të mbante një kuadër të njerëzve të cilët mund të mos jenë elektoral, por që i duhen në qeverisje.

Por, fatkeqësia në fakt qëndron tek fakti që, ëh, tek përbërja e listave, ne nuk shikojmë një meritokraci, apo nuk shikojmë një kriter të mirëpërcaktuar se kush janë ato të cilat do të bënin ty një kandidat të mundshëm.

Fatkeqësisht ne shikojmë që cilësia e Parlamentit dhe e legjislativit ka rënë shumë, qoftë nga nismat legjislative, qoftë dhe nga debati që atje bëhet në fund të ditës.

Dhe kjo na tregon që politika në vetvete ose këto parti të çelikosura, të kthyera në një bunker ku dëgjohet vetëm një zë dhe vetëm ai vendos dhe nuk funksionon as gara, as meritokracia, kërkojnë tanimë njerëz të cilët duhet të jenë rreshtorë dhe ushtarë, të gatshëm me sy mbyllur të ngrenë dorën sa herë u kërkohet dhe thirren për atë kauzë.

Më parë politika, të themi para një 10-vjeçari ose 15-vjeçari, tentonte të rekrutonte njerëz të angazhuar publikisht, njerëz me potencial, të cilët mund të jepnin kontribute dhe në politikë.

Dhe ne kemi pasur raste qoftë në legjislativ, qoftë në qeveri, të njerëzve të cilët kanë pasur një profil teknik, të përfshirë më pas në politikë, kanë qenë të suksesshëm.

Ndërkohë që ne po shikojmë sot njerëz anonim, të cilët në asnjë rast nuk na tregojnë asgjë nga vetja",u shpreh Çela.

Ndiqni emisionin e plotë:

EMISIONET