"Neveri për lehaqeniet që vazhdojnë avazin"/ Zjarret, Rama: Situata e përmirësuar falë sakrificave e mundimeve

Kryeministri Edi Rama ka bërë një tjetër reagim për zjarret që kanë prekur vendin, me situatën më të rënduar në Delvinë e Gramsh.
Në një postim në rrjete sociale, kreu i qeverisë shkruan se sot është një tjetër ditë gatishmërie e lartë dhe përpjekjesh të përbashkëta për një situatë që tashmë është më e përmirësuar.
Një koment bën edhe për “lehaqeniet”, siç i cilëson ai kritikat e vazhdueshme për mungesën e mjeteve të nevojshme në përballimin e zjarreve.
Neveri, shkruan kreu i qeverisë, për “lehaqeniet që vazhdojnë avazin e tyre” në një kohë kur edhe vende të tjera të Evropës përballen me vatra të shumta zjarri.
Postimi:
MIRËMËNGJES
dhe me një tjetër ditë gatishmërie të lartë e përpjekjesh të përbashkëta, përballë një situate të përmirësuar falë mundimesh e sakrificash të admirueshme por me rreziqe e të papritura në çdo çast; me neveri për lehaqeniet që vazhdojnë avazin e tyre të krehjes para pasqyrave mediatike, teksa në tërë Europën Jugore digjen në flakë mijëra vatra zjarri nga Spanja e deri në Turqi, ju uroj një ditë sa më të qetë të gjithëve

