NESËR VENDIMI PËR KANDIDATËT! Zgjedhjet e reja, KQZ diskuton regjistrimin në të 6 bashkitë
Të shtunën nisin procedurat për zhvillimin e zgjedhjeve të reja në të 6 bashkitë, përfshirë dhe Tiranën. KQZ ka gati vendosjen e afateve për regjistrimin e partive dhe të kandidatëve. Gjithashtu do të miratohet dhe ngritja e komisioneve të votimit dhe të KZAZ-ve
Kërkesa e dytë e Erion Veliajt në Gjykatën Kushtetuese për të pezulluar zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë nuk e kanë ndalur procesin.
Komisioni Rregullator në KQZ ka bërë të ditur se të shtunën do të zhvillohet mbledhja e parë në zbatim të dekretit të presidentit për votimet në 9 nëntor në të gjashtë bashkisë.
Në rendin e ditës parashikohet vendosja e afateve për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar në Bashkitë Tiranë, Berat, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Vlorë.
Në këtë masë do të përcaktohet ngritja e qendrave të votimit, data për paraqitjen e emrave të komisionerëve e po ashtu dhe të komisioneve zonale.
Po aty do të jenë dhe afatet për regjistrimin e partive që do të jenë pjesë e garës, të koalicioneve kandidatëve që ato do të paraqesin dhe të emrave që do të futen në garë sit ë pavarur.
Si pikë e dytë do të diskutohen specifikimet e fletës së votimit ku do të jetë emri i kandidatit për secilën forcë, sigla e partisë dhe koalicionit, por po ashtu dhe të kutisë ku zgjedhësit do të shprehin të drejtën e tyre për të votuar.
Rregullatori do të miratojë dhe rregullat për pajisjen e identifikimit elektronik përmes të cilave nuk do të lejohet votimi më shumë se një herë.
Në qendrat e votimit dhe të KZAZ-ve do të vendosen kamerat që do të regjistrojnë më tej procesin.
Të enjten dekreti i Presidenti është publikuar në Fletoren Zyrtare duke hyrë në fuqi menjëherë.
Deri më tani, PS ka bërë të ditur se do të garojë në Tiranë me emrin e Ogerta Manastirliut, ndërsa PD vijon diskutimin për partitë e opozitës për të dalë me nëj kandidat të përbashkët.
Lëvizja Bashkë do të jetë forca e tretë që deri këtë të premte ka bërë të ditur se do të futet në garën për drejtimin e bashkisë së Tiranës, proces që nis pas shkarkimit të Erion Veliajt.


