Në burg, apo në zyrë, ku do ta festojë Erion Veliaj Çlirimin e Tiranës? Paralajmërimi “i tmerrshëm” i Këlliçit

Dikur kur i kërkonte Prokuroria, deputetë, ministra, apo dhe disa zyrtarë të lartë nuk pranonin të shkonin, ndërsa në rang Kryeministri e Presidenti as që u shkonte mendja të merrnin udhën për tek organi i Akuzës.
Krejtësisht tjetër është panorama e raportit të drejtësisë me politikanët dhe zyrtarët e sotëm, të cilët vetëm këtë të enjte minimalisht ishin nja 6 apo 7 prej tyre, nga të gjitha kampet, që nxitonin për të zënë radhën se kush do rrëfehej i pari tek SPAK-u për “mëkatet” e tyre apo të të tjerëve në rolet shtëtetërore që ata kanë.
E ndërsa zhvillimet nuk mungojnë, ajo që pritet është nëntori, muaji i zhvillimeve të mëdha, ku në rrjetën e prokurorëve të posaçëm priten të bien të tjerë "peshq të mëdhenj".
Fjala vjen për Bashkinë e Tiranës, e cila prej kohësh tashmë dhe aktualisht ndodhet në “lupën” e Prokurorisë së Posaçme, pasi disa nga drejtorët më të rëndësishëm në këtë institucion dhe njëherësh njerëzit më të afërt të kryetarit Erion Veliaj, janë arrestuar dhe aktualisht ndodhen në qeli.
Bëhet fjalë për Taulant Tushën, i arrestuar fillimisht për inceneratorin e Tiranës dhe më pas me një akuzë të dytë për kompaninë “5D Konstruksion”, si dhe Mariglen Qaton, Redi Mollën apo dhe disa zyrtarë të tjerë të Bashkisë.
Ndërkaq në kampin opozitar janë të bindur se do të ketë zhvillime të reja në frontin e Prokurorisë së Posaçme, ku shumë shpejt anëtarët e arrestuar të “ekipit” drejtues të Bashkisë së Tiranës të “5D Konstruksion” do të kenë pranë edhe kryetarin e tyre Erion Veliaj.
Nisur nga fakti se shumë dosje janë sekuestruar nga prokurorët e SPAK-ut për “5D” dhe inceneratorin e Tiranës, anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi pak ditë më parë paralajmëroi zhvillime të vrullshme gjatë muajit nëntor, teksa njoftoi se dhe ai është thirrur nga Prokuroria e Posaçme në 18 nëntor, pasi është paditur nga Erion Veliaj për shpifje lidhur me akuzat publike të korrupsionit në Bashkinë e Tiranës.
Dhe lidhur me këto dosje Këlliçi tha se do të donte që të kishte Veliajn përballë atë ditë, por shtoi se nuk e dinte nëse data 18 nëntor e kap jashtë “pronarin faktit të inceneratorit të Tiranës” siç tha ai për Veliajn.
“Që të mos e lëmë Adrianën vetëm, edhe mua më ka ardhur fletë-thirrja për shpifje, e unë e kam në datën 18 nëntor.
Pronari faktit i inceneratorit të Tiranës, dhe kreu grupit kriminal ‘5D’ ka kallëzuar, Adrianën, mua, gazetarin Bledian Koka, për shpifje, ndërkohë që kemi faktuar gjithçka me dokumentet përtej çdo dyshimi deri më tani dhe të gjitha akuzat që ne kemi bërë dhe vazhdojmë të bëjmë publike, janë pjesë e hetimit të SPAK.
Janë pjesë e hetimit të ‘5D’ që është ende nën hetim e sipër dhe pjesë e hetimit të inceneratorit të Tiranës.
Do të doja shumë që zdromsi i Tiranës të vijë e të ballafaqohet në gjykatë, e pres të vijë, qoftë edhe me Adrianën apo me Bledin, por nuk e di a e kap dot datën 18 nëntor, pasi mund të ketë zhvillime.
Mund t’i ketë marrë malli kolegët për të. Koleg i them Altin Dumanit, i cili është kryekolegu dhe Klodian Braho dhe Dritan Premçi që ky i ka quajtur kolegë të tij dhe pasi e thirrën, Veliaj tha se, më kërkuan që të mbillja ca pemë dhe shkoi dhe u mbolli pemë”, tha në intervistën e tij për Syri Tv, Belind Këlliçi.
Dhe nëse ky paralajmërim i Këlliçit rezulton i saktë dhe Veliaj del para prokurorëve të SPAK-ut, pyetja që shtrohet është a do t’i anulojë Bashkia e Tiranës festimet e 17 nëntorit, përvjetorit të Çlirimit të kryeqytetit?






