Ndryshimet në Kodin Penal, Kthupi: Për qeverinë e gjithë Shqipëria është e kriminalizuar. Drafti nonsens juridik

Ndryshimet e propozuara nga qeveria të Kodit Penal vijojnë të shkaktojnë diskutime dhe debate si në opinionin publik ashtu edhe brenda grupeve të interesit.
Avokati Rezart Kthupi, në një intervistë për “Ora News” u shpreh se në raport me kohën ndryshimet në Kod janë mëse të mirëpritura, por sa i përket mënyrës së hartimit dhe propozimeve konkrete, sipas tij, ato janë të diskutueshme.
“Ndryshimet e propozuara lënë shumë për të dëshiruar në të gjitha drejtimet e mundshme. Këtu nuk është problemi tek ndëshkimet në vetvete, por tek logjika që ndjek Kodi është se gjithçka dënohet.
Janë parashikuar dënime edhe për çështje që normalisht nuk përbëjnë vepër penale, janë parashikuar dënime që hyjnë në sferën e së drejtës civile dhe administrative dhe gjithçka është kthyer në një dënim me burg.
Përshtypja që të jep draft-Kodi në leximin e tij të parë është se kemi një shoqëri të kriminalizuar dhe se gjithçka është e ndëshkueshme me burg dhe se të gjithë njerëzit do të shkojnë në burg.
Në një kohë ne nuk jemi një vend me vepra të rënda penale, përgjithësisht jemi një vend i qetë ku kemi disa vepra të lehta penale të cilat mund të rregulloheshin.
Por ajo që bën Kodi është se gjithçka dënohet, ti si avokat lëshon një faturë të një vlere shumë të madhe dënohesh, ti përpiqesh të bësh një koment për mënyrën se si vepron gjykata, direkt dënohesh; Ti nuk shkon të bësh kolaudimin e makinës sërish dënohesh.
Dhe ky është kriminalizim i tejskajshëm. Çështje të cilat mund të zgjidhen mjaft mirë në lëmin e së drejtës civile, që do të thotë se çështjen zgjidhen me marrëveshje mes palëve apo me gjykime që nuk i takojnë gjykatës penale, ato nuk mund të jenë pjesë e Kodit Penal. Ky është nonsensi, ku gjithçka kriminalizohet”, theksoi ndër të tjera, avokati
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME AVOKATIN REZART KTHUPI


