NATO për bashkëpunimin Shqipëri-Kroaci-Kosovë: Mbështesim dialogun për zgjidhjen e çështjeve të mbetura në rajon

NATO për bashkëpunimin Shqipëri-Kroaci-Kosovë:

Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska i është përgjigjur interesit të medieve lidhur me bashkëpunimin mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë si dhe paralajmërimin për mbajtjen e një stërvitjeje të përbashkët mes tre vendeve.

Në një intervistë për agjencinë Beta në Bruksel ku dhe u mbajt takimi i Ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, Shekerinska tha se “Shqipëria dhe Kroacia nuk janë vetëm aleatë të besueshëm dhe të vlefshëm brenda Aleancës. Ato janë gjithashtu kontribuese të rëndësishme për paqen dhe stabilitetin në rajon. Ato janë të pranishme në KFOR, por në përgjithësi janë shumë të përqendruara në mbështetjen e kësaj agjende në rajon”.

Shekerinska shtoi se NATO nuk ka marrë pjesë në diskutime apo konsultime për deklaratën e nënshkruar nga Prishtina, Tirana dhe Zagrebi, por anëtarësimi në Aleancë nuk i parandalon shtetet që të kenë marrëveshje shtesë të mbrojtjes me palë të treta.

“Ajo që shohim në përgjithësi është se, sigurisht, situata gjeopolitike globale ka ndikuar edhe në rajon. Ju shihni më shumë stërvitje, më shumë investime në mbrojtje dhe siguri, por ne gjithmonë i ftojmë aleatët dhe partnerët të angazhohen gjithashtu në dialogun politik dhe zgjidhjen e çështjeve të mbetura në rajon. Prania jonë në Ballkanin Perëndimor synon të mbështesë këtë lloj dialogu politik”, tha zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s.

Shqipëria, Kroacia dhe Kosova kanë nënshkruar marsin e vitit të kaluar në Tiranë një deklaratë për bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. “Deklarata e Përbashkët e Bashkëpunimit në fushën e Mbrojtjes” u firmos nga ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anušić, dhe ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci.

Bashkëpunimi synon forcimin e aftësive mbrojtëse të tri vendeve, zhvillimin e industrisë dhe teknologjisë së Mbrojtjes, si dhe përmirësimin e ndërveprimit ushtarak në rajon. Ky zhvillim strategjik pasqyron aleancën e ngushtë mes tri shteteve, të lidhura nga historia, sakrificat për liri dhe një vizion i përbashkët për një të ardhme të sigurt. Gjithashtu, Shqipëria dhe Kroacia do të punojnë ngushtësisht për unifikimin e qëndrimeve politike në mbështetje të aspiratave të qytetarëve të Kosovës për integrim të plotë në strukturat rajonale dhe euroatlantike.

Zyrtarët e mbrojtjes të këtyre tri shteteve janë takuar dy herë gjatë këtij muaji për zbatimin e kësaj Deklarate dhe kanë paralajmëruar se gjatë këtij viti do të zhvillojnë një stërvitje të përbashkët.

EMISIONET