Ministrja Sala i përgjigjet Bardh Spahisë: 1 mld lekë për barnat onkologjike në projektbuxhetin 2026
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala iu përgjigj deputetit demokrat Bardh Spahia në lidhje me gjendjen spitalore në Onkolgjik.
Sala në Kuvend tha se tashmë është rialokuar një fond prej 200 milionë lekësh për të adresuar zgjidhjen e nevojave urgjente për barnat në spitalin Onkologjik në QSUNT.
Ministrja Sala kërkoi që të mos përfshihet në debatin e procedurës në Parlament, për të mos bërë politikë me dhimbjen e njerëzve. Sipas Salës, me propozim e MSHMS në projektbuxhetin 2026 që pritet të kalojë në Kuvend pas pak ditësh, vetëm për barnat onkologjike është akorduar buxhet i dedikuar prej 1 miliard lekësh.
“Pak javë më parë kam pranuar një sfidë të madhe që nuk është vetëm e Qeverisë dhe imja si ministre, por është sfida ime personale si mjeke. E kam filluar karrierën pikërisht në spitalin Onkologjik, ku këto ditë kam prekur çdo skutë, kam takuar pacientët, ndërsa është rialokuar një fond prej 200 milionë lekësh për të adresuar zgjidhjen e nevojave urgjente me barnat e onkologjikut. Kjo është një risi. Problemet nuk zgjidhjen me retorikë politike apo duke luajtur me dhimbjet e pacientëve. Zgjidhen me punë dhe bashkëpunim. Angazhimi im kam qenë i qartë, çdo pacient që ka sëmundje onkologjike do trajtohet me protokollet bashkëkohore. Ky proces ka nisur dhe nuk ka kthim mbrapa”, përfundoi Sala.

