Meta: Qeveria shkurtoi fondet për tre sektorët jetikë të vendit, nxit shpopullimin

Meta: Qeveria shkurtoi fondet për tre sektorët jetikë të

Ilir Meta, presidenti i Partisë së Lirisë, i cili ndodhet në “arrest me burg”, në një postim në rrjetet sociale shkruan se vendimi i qeverisë për të shkurtuar fondet buxhetore për Arsimin me 700 milion lekë, për Shëndetësinë me 2.6 miliard lekë dhe për Bujqësinë me 800 milion lekë është tregues i vijimit të moskujdesit dhe braktisjes së tre sektorëve jetikë socialë.

Meta kritikon uljen e fondeve për arsimin, duke theksuar nevojën urgjente për “rritjen e pagave, për ndërtimin e shkollave, kopshteve dhe çerdheve të reja”, dhe shton “mungesa e fondeve do të thellojë akoma më shumë rezultatet negative të Shqipërisë, që renditet e fundit në botë për cilësinë e Arsimit”.

Për shëndetësinë, Meta thekson se të shkurtosh fondet “do të thotë të braktisësh stafin mjekësor, të thellosh mungesën e ilaçeve dhe investimeve në spitale, në një kohë kur skandalet e mostrajtimit dinjitoz të pacientëve thellohen dhe shpërthejnë çdo ditë, si skandali i Onkologjikut, i sëmundjeve kronike e plot të tjera”.

Po ashtu, për sektorin e bujqësisë, Meta shkruan se “të ulësh fondet për Bujqësinë, në kushtet kur fermerët po falimentojnë, po hedhin në kanal prodhimet e tyre dhe po detyrohen të largohen nga Shqipëria, do të thotë ta çosh këtë sektor përfundimisht drejt kapitullimit”.

Më tej Meta kritikon politikat e qeverisë. “Braktisja e këtyre tre sektorë është një nxitje tjetër e shpopullimit, kësaj axhende antikombëtare të projektuar prej kohësh”, shkruan Meta.

Presidenti i PL-së theksoi se “pesë Prioritetet e Partisë së Lirisë për 4 milion shqiptarë plus që ndalin shpopullimin dhe kthejnë Shqipërinë në fuqi eksportuese janë e vetmja rrugë për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social të vendit, për mbështetjen e familjeve, si dhe për rritjen e mirëqenies të qytetarëve, në veçanti për pensionistët dhe shtresat në nevojë”.

EMISIONET