Meta: BE kthen Shqipërinë nën monitorim për çështjet fiskale për shkak të aferave të Ramës

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta shkruan në Facebook se BE e ka kthyer Shqipërinë në një vend në monitorim për çështje fiskale.
Sipas tij, kjo është një tjetër goditje shumë e rëndë për Edi Ramën dhe Qeverinë e tij të korruptuar, të aferave dhe skandaleve të panumërta financiare.
Ai shton se Edi Rama e ka zhytur vendin në paligjshmëri totale duke e shndërruar Shqipërinë në parajsën fiskale të krimit të organizuar vendas e ndërkombëtar.
Meta: Vendimi i Bashkimit Evropian për të rikthyer Shqipërinë në listën e vendeve në monitorim për çështje fiskale është një tjetër goditje shumë e rëndë për Edi Ramën dhe Qeverinë e tij të korruptuar, të aferave dhe skandaleve të panumërta financiare. Ndërkohë që Shqipëria ndodhet prej disa vitesh në listën e vendeve nën monitorim për pastrimin e parave, tashmë përfshihemi dhe në listën e vendeve me regjim të dyshimtë fiskal.
Edi Rama e ka zhytur vendin në paligjshmëri totale duke e shndërruar Shqipërinë në parajsën fiskale të krimit të organizuar vendas e ndërkombëtar nëpërmjet miratimit të një sërë ligjeve që kanë vetëm për qëllim futjen e parasë së pisët në çdo sektor të ekonomisë. Edhe tentativa skandaloze e Edi Ramës për pastrimin e parave të korrupsionit dhe krimit të organizuar nëpërmjet "Amnistisë Fiskale" është një nga arsyet kryesore të këtij vendimi të BE, që dekurajon rëndë afrimin e investimeve të huaja serioze në Shqipëri.
Në dhjetë vite, Kryeministri në largim dështoi totalisht në konsolidimin e një administrate tatimore moderne dhe minoi me qëllim përpjekjet kundër krimit dhe korrupsionit duke dobësuar efikasitetin e mekanizmave shtetërore, që luftojnë paranë e pisët. Vetëm largimi i Edi Ramës e rikthen ekonominë në shinat e ligjit dhe sjell investime të huaja dhe vendase serioze duke siguruar kështu një zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë të ekonomisë, që prodhon mirëqenie për qytetarët dhe ndalon shpopullimin dramatik!

