Tabaku jep alarmin: Po injorohen standardet demokratike, rruga drejt BE-së nuk mund të jetë fasadë
Kryetarja e Komisionit të Çështjeve Europiane për Pozicionet Negociuese, Jorida Tabaku, ka folur sot kundër sjelljeve të qeverisë në zgjedhjet e 11 majit, duke paralajmëruar se rruga drejt BE-së nuk mund të jetë një fasadë që injoron standardet demokratike.
Ajo iu referua raportit të OSBE-ODIHR që, sipas saj, është një akt-ekspertimi që vulos realitetin e një shteti që vepron në shërbim të një partie. Tabaku theksoi se integrimi nuk është një proces teknokratik, por një kontratë politike me qytetarët, dhe sipas saj, raporti i OSBE-ODIHR është dëshmi e dështimit të kësaj kontrate.
Pjesë nga fjala e Jorida Tabakut:
Sot diskutojmë për një nga grupkapitujt më të rëndësishëm në procesin e integrimit: Clusteri 4 – që përfshin politikat e mjedisit, klimës, energjisë dhe ndërlidhjes. Të gjitha këto janë fusha që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve shqiptarë dhe që lidhen ngushtësisht me modelin ekonomik dhe shoqëror që ne duam të ndërtojmë në të ardhmen.
Por, nuk duhet të harrojmë se ky diskutim zhvillohet vetëm pak javë pas një procesi zgjedhor, i cili testoi jo vetëm vullnetin e qytetarëve, por edhe qëndrueshmërinë e institucioneve tona demokratike. Dhe nëse integrimi europian ka një themel të padiskutueshëm, ai është pikërisht sundimi i ligjit dhe zgjedhjet e lira.
Ne po diskutojmë për grupkapitullin 4 që është shumë i rëndësishëm për mjedisin, për ndërlidhjen, për energjinë dhe që prekin qytetarët. Por, nuk duhet të harrojmë që jemi në një pikë kthese pasi jemi pas zgjedhjeve dhe kemi testuar se si kjo qeveri sillet me themeloret – pra me kapitullin e zgjedhjeve dhe sundimin e ligjit.
Ky është kapitulli që hapet i pari dhe mbyllet i fundit për nga rëndësia që ka. Dhe një vlerësues i këtij progresi është padyshim raporti i OSBE-ODIHR, që në versionin e tij paraprak flet hapur për abuzimin me pushtetin dhe për zhdukjen e vijës ndarëse mes shtetit dhe partisë.
Ne nuk mund të sillemi si europianë në Bruksel dhe si shqiptarë në Tiranë. Qeveria duhet të sigurojë uniformitet në zbatimin e detyrave. Ne kemi nevojë për një diskutim të thellë institucional për procesin zgjedhor, pasi nuk mund të heshtë Tirana.


